Ushtria izraelite arreston katër të dyshuar për një sulm në Bregun Perëndimor

0

Ushtria izraelite tha të dielën se forcat e saj kapën katër të dyshuar palestinezë që besohet se kanë marrë pjesë në një sulm vdekjeprurës me armë zjarri në Bregun Perëndimor.

Në incidentin e së enjtes, të paktën një palestinez i armatosur hapi zjarr ndaj një makine të mbushur me studentë të një seminari hebre pranë një vendbanimi në Bregun Perëndimor. Një 25 vjeçar u vra dhe dy të tjerë u plagosën pranë Homeshit, i cili konsiderohet i paligjshëm nga qeveria izraelite. Ushtria tha se të dyshuarit u arrestuan në fshatin verior Silat al-Haaretia të Bregut Perëndimor, dhe iu dorëzuan forcave të sigurisë për hetime të mëtejshme.

Autoritetet izraelite nuk i identifikuan menjëherë të dyshuarit. Policia kufitare izraelite publikoi një fotografi të një numri armësh dhe municionesh që tha se u përkisnin të dyshuarve. Kryeministri izraelit Naftali Bennett përgëzoi forcat e sigurisë për arrestimin, duke shtuar se çdo terrorist duhet ta dijë se shteti i Izraelit do ta vërë para përgjegjësisë.

Zhvillimet vijnë pas javësh intensifikimi të dhunës izraelito-palestineze. Në fillim të këtij muaji, një sulmues palestinez goditi me thikë dhe plagosi rëndë një hebre ultra-ortodoks jashtë qytetit të vjetër të Jeruzalemit. Dhe pak më shumë se një javë më herët, një militant i Hamasit hapi zjarr në Qytetin e Vjetër, duke vrarë një izraelit.

Në të njëjtën kohë, dhuna e izraelitëve nga vendbanimet kundër palestinezëve është rritur, veçanërisht në Bregun Perëndimor verior. Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor dhe Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, dhe në ato vendbanime mbi 700,000 izraelitë. Shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet izraelite pengesa të paligjshme ndaj paqes. Palestinezët kërkojnë Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti të ardhshëm të pavarur.

Marrë nga VOA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu