Mbrojtësi Amir Rrahmani luajti rol të rëndësishëm në fitoren e Napolit 1-0 kundër Milanit të dielën në “San Siro”. Kapiteni i “Dardanëve” ishte lojtari kyç në mbrojtjen e Napolit dhe i ndihmuar nga Juan Jesus, u përkujdes që Davide Ospina të mos pësonte gol.
Në mungesë të Kalidou Koulibaly, lojtari nga Prishtina ishte komandanti i mbrojtjes napolitane dhe disa ndërhyrje të tij ndaj dyshes Zlatan Ibrahimovic dhe Olivier Giroud ishin vendimtare.
Whoscored.com i ka dhënë 27-vjeçarit notën 8.1 dhe e ka përzgjedhur në një mbrojtje me katër, përkrah Juan Cuadrados së Juventusit dhe dyshes së Interit Danilo D’Ambroasio dhe Ivan Perisic, në formacionin e javës së 18-të.
Mbrojtësi Amir Rrahmani ka zhvilluar 15 ndeshje deri tani këtë sezon në Serie A me fanelën e Napolit, duke kontribuar edhe me dy gola. Kosovari ka formuar një partneritet të pathyeshëm me Kalidou Koulibaly, duke fituar edhe besimin e Spallettit.
Napoli kishte humbur pikë në katër prej pesë ndeshjeve të fundit, por me tri pikët e fituara Napoli tani e kalon Milanin në vendin e dytë në tabelën e Serie A me pikë të barabarta, 39, por ngel katër pikë mbrapa liderit dhe kampionit në fuqi Inter.