Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Bujar Nishani tregoi se nëse Lulzim Basha nuk pranon të dorëhiqet pas referendumit që u mbajt në 18 dhjetor, atëherë ai do të përballet me afro 44 mijë demokratë që votuan “pro” shkarkimit të Bashës. Në studion e emisionit “Opinion”, ish-presidenti i vendit në vitet 2012-2017 deklaroi se Basha do të mbajë përgjegjësi nëse nuk pranon të largohet nga detyra.
“Nëse nuk pranon rezultatin e referendumit, Basha merr përgjegjësi që të ketë përballë 44 mijë njerëz, në ditët në vijim do t’i shikoni”, deklaroi ish-presidenti Bujar Nishani.
Më herët Nishani tregoi një pjesë të tekstit të vendimit të shkarkimit të Lulzim Bashës, e cila do t’i dërgohet në zyrë.
Këtë e bëri me dije më herët ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit të PD-së që u mbajt sot në selinë blu. Referendumi i 18 dhjetorit në të gjitha degët demokrate në Shqipëri tregoi se 43.385 anëtarë të PD-së votuan pro-shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit.





