Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të enjten akuzoi liderin historik të demokratëve Sali Berishën si një shërbëtor të kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij para demokratëve të Kurbinit, Basha tha se anëtarët e kësaj force politike janë vetëdijësuar se vija e kuqe ndarëse e asaj që është shumica e padiskutueshme dhe një pakice që ka përfituar gjithmonë në kurriz të saj është dhuna.
“Besoj i keni dëgjuar mesazhet e aleatëve tanë. Nuk kanë nevojë për përkthim. Duan që shqiptarët të zgjedhin të ardhmen. Duan dhe presin që të jenë në krahun tonë kur PD të qeverisë vendin me përgjegjësinë që i takon që do sjellë demokracinë dhe shtetin e të drejtës e të të gjithë shqiptarëve, jo të një pakice”, tha Basha.
Sipas tij, mesazhi është i qartë, duke shtuar se janë të interesuar që të jenë në krah të Partisë Demokratike si një forcë qeverisëse.
“E dinë se nga kjo stuhi e cila goditi brigjet tona por do shtrihet anë e mbanë Ballkanit për të rrëzuar pemët e kalbura të korrupsionit e për ta bërë një zonë ku njerëzit jetojnë njësoj si në vendet e tjera të Europës. Nëse beteja nuk fitohet këtu ku do të fitohet?”, deklaroi kryedemokrati.
Ai tha se demokratët duhet të jenë të vendosur me një qëllim që i bashkon, sepse sipas tij, demokratët e vërtetë janë të bashkuar në qëllim, janë gati të bëjnë çdo sakrificë për shqiptarët, familjet e fëmijët e tyre që të largojnë sa më parë regjimin e Edi Ramës, për të sjellë ndryshimin në vend.
“Parakusht është të mos mbetemi peng i të shkuarës”, tha Basha.