Erion Braçe: Armando Duka po kërkon mandatin e gjashtë. Një tregtar që nuk ka asnjë lidhje me futbollin u ka marrë miliona fëmijëve dhe të rinjve që kanë futbollin në zemër. 20 vite janë një jetë, mund ta kishte masivizuar futbollin dhe në cilësi edhe përfitues. Në një cikël të dytë mund ta kishte rishpikur, reformuar, masivizuar akoma më shumë dhe në cilësi e përfituar përfundimisht. Nuk e bëri, bëri futbollin e tij të pistë, të dhunshëm të padrejtë e të pandershëm as konkurues. E bëri një biznes të vogël bastesh, ku gjithçka është fiksuar dhe e paravendosur. Nuk ka garë, ka veto të tij se kush fiton kampionatin, kush fiton kupën, kush kap Europën, kush merr paratë, kush del nga kategoria, kush bie nga Superliga. Gjithçka vendoset prej tij.
Shuajti futbollin në Lushnje, në “Roza Haxhiu”, të atyre që i dhanë tonin futbollit, Fugës, Gogonit, etj., çobanit, Gjylës. Shuajti futbollin e Fierit Majacit të madh, etj. Shuajti futbollin në Berat të gjithë Arbërve nga Arbeni e Klodiani, Ziut, Bakarit, Matrapazit, Kliton Bozgos. Shuajti futbollin e Gjirokastrës. Shuajti futbollin e Flamurtarit të Mexhit Haxhiut, Birçes, Saraçit, Memushit, Iliadhit, Petros, Xhafës, Mukës, etj. E kuptoni se çfarë ka bërë? është një pyetje që i drejtohet çdo qytetari që rron me pasionin e futbollit. Gjithë kryetarët e bashkive në qytete po më thonë se janë përfshirë në një garë të ethshme për të rizgjedhur Armando Dukën. E kuptoni se çfarë keni bërë apo jo? Keni paguar miliona euro për të financuar Armando Dukën dhe si shpagim keni marrë shuarjen e futbollit nga qytetet tuaja.
Një superligë e vogël, ka shuar futbolin nga gjysma e Shqipërisë sepse kështu e kontrollon Armand Duka që e fikson në funksion të parave që duhen nxjerrë nga ana e tij. Ndaj stop dhe boll. Nuk ka më para për futbollin e Armand Dukës, po ka para për futbollin e fëmijëve.