Basha nuk ndal sulmet ndaj Ramës, Metës dhe Berishës: Njëri sillet si sulltan

0

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka vazhduar edhe ditën e sotme me sulmet ndaj figurave politike që ai i konsideron si “Trekëndëshi i Bermudës.

Në videon e postuar, Basha shprehet se kryeminsitri, Edi Rama sillej si sulltan, presidenti Ilir Meta ishte në delir, ndërsa për ish kryeministrin Sali Berisha shprehet se ky i fundit mendon se e ka PD-në me tapi të përjetshme.

“Partia Demokratike është parakushti i ndryshimit, i cili do të vijë nga ndryshimi kulturor që lë pas kultin e individit, që ende gjalllon në politikën e tranzicionit. Ne do të ndërtojmë një politikë normale, që çliron potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë dhe garanton një të ardhme më të mirë për të gjithë”– shkruan Basha mbi videon e postuar.

“Partia Demokratike mbetet shpresa e vetme për këtë ndryshim. Nuk bëhet thjeshtë fjalë për ndryshim politik, pra për ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, që padiskutim, me vizionin dhe programin tonë është parakushti për ndryshimin politik, por për një ndryshim kulturor. Raporti i qytetarit me pushtetin, raporti i votuesit me të votuarin, raporti me drejtuesin, me kultin e individit, që menduam se e shkulëm më 20 shkurt 1991, por që vazhdon të gjallojë në politikën shqiptare. Njëri sillet si pasha, apo si sulltan, tjetri është në delir, tjetri mendon se e ka me tapi të përjetshme Partinë Demokratike. Një nga aspektet kryesore të ndryshimit kulturor që po vjen, është ndërtimi i një politike normale, me politikanë normal, që është parakushti i një vendi normal, me ekonomi normale dhe ku njerëzit të jetojnë në normalitet. Normalja është dhurata më e madhe, që ky ndryshim politik dhe kulturor do t’u sjellë shqiptarëve”, shton Basha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu