Zgjatja e mandatit të vettingut, zbulohen bisedimet mes SHBA, PS dhe PD

0

Zgjatja e mandatit të vetingut në drejtësi dhe reformat zgjedhore e ajo territoriale kanë riaktivizuar edhe një herë partnerët ndërkombëtarë për të futur në “shina” Partinë Socialiste dhe atë Demokratike.

Që nga fundi i vitit të kaluar, komisionet hetimore në Parlament janë ndërprerë, pasi PS nuk jep dakordësinë për zgjatjen e mandatit të komisionit. Ndërsa demokratët nuk u rikthyen më në Këshillin e Legjislacionit për ndërhyrjen në Kushtetutë për të zgjatur mandatin e KPK dhe KP. Por duket se në fund të javës që lamë pas, diçka ndryshoi. Sot rikthehet për t’u diskutuar në Kuvend, në Këshillin e Legjislacionit nisma e Partisë Demokratike, e cila mbarte tri propozime: vetingun i Politikanëve, Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.

Diskutimet ishin ndërprerë prej afro dy muajsh pas mosdakordësisë mes maxhorancës dhe opozitës, që nismën e mësipërme ta bashkonin me nismën për ndërhyrjen që duhet në Kushtetutë për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik me 1 vit e gjysmë. Ndërkohë, votimi i ndryshimeve në Kushtetutë për zgjatjen e vetingut në Drejtësi është parashikuar të jetë në seancën e 10 shkurtit, pra, në seancën e kësaj jave.

Sot, në orën 13:00, mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar ndryshimet kushtetuese të PD-së. Gjithashtu, socialistët zhbllokuan edhe ngërçin me komisionet hetimore. Konkretisht, hetimin parlamentar për inceneratorët. Edhe ky komision pritet që të mblidhet sot dhe do vazhdojë punën deri më 25 shkurt.

NEGOCIATAT E SHBASË E BE-SË ME PS E PD

Pasi maxhoranca dhe opozita nuk gjetën rrugën e dialogut për nismat e mësipërme, u riaktivizuan partnerët ndërkombëtarë. Gazeta “Panorama” ka mësuar përmes burimeve se ditën e enjte në Kryesinë e Kuvendit ka pasur takime mes përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Europian me deputetë të PS-së dhe PD-së. Mësohet se fokusi i takimeve ka qenë zhbllokimi i ngërçeve të mësipërme.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar prej opozitës që të mbështesin zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerit Publik. Sipas përfaqësuesve të SHBA dhe BE, kjo do të mundësonte ruajtjen e të njëjtit standard filtrimi për gjyqtarët dhe prokurorët. Po ashtu, në takime është theksuar fakti se ndërhyrja në Kushtetutë për zgjatjen e vetingut nuk është një nismë e socialistëve, por rekomandim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë ndjekur nga afër procesin.

Kjo më pas u konfirmua edhe publikisht nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili në seancën plenare të ditës së enjte u shpreh se zgjatjen e mandatit të KPK dhe KP nuk e kërkon Partia Socialiste po partnerët amerikanë. Ndërkohë, nga ana tjetër përfaqësuesit e SHBA e BE kanë kërkuar nga deputetët e maxhorancës që të mos bëhen pengesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe reformës territoriale. Nisma për vetingun e politikanëve mësohet se ka marrë më pak vëmendje nga ndërkombëtarët.

Megjithë negociatat, kryetari i Grupit të PDsë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh kundër të enjten që shkoi për të futur në rend dite në seancën e 10 shkurtit zgjatjen e vetingut. Pas këtyre qëndrimeve, Alibeaj ka zhvilluar edhe një takim me Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca. Nuk dihen detaje nga takimi, por ajo që konfirmohet në kalendarin e punës në Kuvend është fakti se më 10 shkurt pritet që të votohet zgjatja e vetingut ndërsa vetëm një javë më vonë do të votohet edhe ngritja e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në Parlament.

Marrë nga Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu