Lajm i mirë për Barçën, në pritje të ndeshjes së dytë çerekfinale të Europa League kundër Eintracht Frankfurt, nesër, në orën 21:00, në ‘Camp Nou’.
Qendërmbrojtësi Gerard Pique, mbrojtësi i djathtë Sergiño Dest dhe sulmuesi Memphis Depay morën pjesë në stërvitje këtë të mërkurë në ‘Ciutat Esportiva’ dhe mund të hyjnë në listën e skuadrës për t’u përballur me gjermanët.
Pique u desh të zëvendësohej në ndeshjen e parë në Frankfurt për shkak të disa shqetësimeve në aduktorin e këmbës së majtë, ndërsa Dest pësoi një dëmtim në bicepsin femoral të kofshës së tij të majtë kundër Galatasaray dhe Memphis nuk mori pjesë në dy ndeshjet e fundit të katalanasve për shkak të mbingarkesës në kofshën e majtë. Duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes kundër Eintracht, të tre mund të detyrohen dhe të vendosen nën urdhrat e trajnerit Xavi Hernández.
Ai që nuk do të jetë i disponueshëm për të luajtur kundër Eintracht do të jetë Ansu Fati, i cili ende nuk ka dalje mjekësore, pavarësisht se ka kaluar disa ditë stërvitje me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve. Të rinjtë nga rezervat Alejandro Balde dhe Lazar Carevic përfunduan seancën stërvitore dhe gjithashtu kanë mundësi të jenë në skuadër ndaj Eintracht.