ELBASAN- Dje në Shqipëri u kap i shumëkërkuari Faruk Fatih Özer. 36-vjeçari, ndërkohë që Policia shqiptare e kërkonte në çdo cep, kishte marrë një apartament me qera në lagjen ‘5 maji’ në Elbasan, ndërsa tani në gusht kishte vendosur që të bënte pushime në jug të vendit. Për disa javë, Özer ka shijuar plazhin e jugut në vend, ndërsa kishte ndryshuar edhe “look-un” e tij, Özer ishte bërë i paidentifikueshëm. Por një gjë nuk e ndryshoi dot. E ajo ishte gjurma e gishtit, të cilat i kishte lënë si prova kudo në ambientet ku pushonte.
Turku Özer pritet t’i dorëzohet palës turke brenda pak ditëve pasi arrestimi është bërë për llogari të Interpol. Ndërkohë që sot, ministri i Brendshëm Süleyman Soylu u takua me përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare në takimin “Familja dhe Dhuna ndaj Grave”, e pas përfundimit të takimit ndaloi për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndërsa foli edhe për Özer.
“Ky person, për të cilin të gjithë ne dhe Ministria shqiptare u munduam, është kapur. Ekziston një proces kthimi. Ne lëshuam njoftimin e kuq nëpërmjet INTERPOL-it prillin e kaluar. Prej ditës së djeshme ai u kap në Shqipëri. 2 nga miqtë tanë janë aktualisht në Shqipëri. Ata janë aty me dosjet për procesin e kthimit. Procesi i kthimit varet nga data që do caktojë gjykata shqiptare.”
Soylu, i cili në atë kohë bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, tha: Nuk e njoh personin Faruk Fatih Özer. Ai erdhi në takimin që u dhamë zhvilluesve të rinj të softuerit më 23 dhjetor 2019, nëpërmjet një të afërmi tonë. Emri i tij nuk figuron në listën e takimeve dhe ai u hyri në dhomë vetëm për një foto. Ndërsa në foto bashkë me të dy, ishte dhe nipi i Soylu gjë që shkaktoi një valë reagimesh në Turqi.
Faruk Fatih Özer, u arratis nga Turqia në 20 prill 2021 dhe u strehua në Shqipëri. Autoritetet turke nisën një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave Thodex dhe se pronari i kompanisë kishte ikur jashtë vendit. Bordi i Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK) përcaktoi shumën e vjedhur nga i riu në plot 356 milionë lira. Megjithatë, sipas pretendimeve, shuma që ai ka marrë është 2 miliardë dollarë. Si rezultat i hetimeve të hapura, Özer u kërkua një dënim me burg deri në 40.562 vjet për 3 krime. Por ajo që shkaktoi më shumë bujë ishte fakti që gjatë bujës së arratisjes së Özer, u publikua fotografia e tij dhe e ministrit të Brendshëm Süleyman Soylu.
Më 20 prill, Ozer ka mbërritur në Shqipëri përmes një bilete që bleu në Air Albania, e nga pamjet e marra nga aeroporti në Rinas, Ozer shihej duke u transportuar nga hoteli në aeroportin ‘Nënë Tereza’, në një tjetër destinacion. Derisa dje, një vit e gjysmë më vonë, arratia e tij mori fund, Ozer u arrestua në Himarë, teksa bënte plazh me dy shqiptarë.





