Kreu i PD, Sali Berisha përmes një deklarate për mediat ka reaguar në lidhje me projektligjin për amnistinë fiskale.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama përmes këtij projektligji do të vrasë shpresën e shqiptareve për të ardhmen e tyre dhe do të godasë biznesin e ndershëm.
Sakaq theksoi se amnistia lidhur me paratë e krimit, do të fuqizojë bandat në rajon, Europë dhe Botë pasi nuk do të ketë më konkurrencë të lirë.
“Edi Rama u servir shqiptarëve çdo ditë në qëndrime dhe vendime, interesat e krimit, mafjes dhe të planit të tij personal. Duke bërë avokatinë e këtij plani, Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre. Në kundërshtim flagrant me interesa të çdo qytetari shqiptar dhe përllogarit të planit të tij mafioz, ai sfidon çdo shqiptar me projektin e amnistisë fiskale. Kjo do të jetë një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale, shqiptare jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. Kjo do të thotë një proces gjigand dhe i paparë për larjen e parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria. Organizatat kriminale do të fuqizohet në rajon, Europë dhe Botë. Kjo do të thotë injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence dhe goditje fatale për biznesin e ndershëm. Dënoj me forcën më të madhe këtë projekt, që Rama për interesa të klanit të tij mafioz kërkon të kriminalizojë ekonominë shqiptare dhe të rrënojë të gjitha efektet e garës së hapur e të ndershme. Do godasë ata që kanë ndërtuar biznesin jo mbi drogën por mbi ndershmërinë”, tha Berisha.