Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar mesditën e sotme me përfaqësues të pushtetit lokal, të biznesit për të diskutuar sfidat dhe problematikat që ka qyteti i Delvinës.
Gjatë takimit, Begaj tha se Delvina është një qytet që mbart vlera për vendin tonë lidhur me historinë, kulturën ndaj dhe është e nevojshme që çdo person që ka një detyrë publike duhet ta dëgjojë qytetarin.
“Delvina është një qytet me vlera në historinë e Shqipërisë, me vlera në kulturën shqiptare dhe vizita ime sot është shenjë e rëndësisë që ka ky qytet dhe kjo bashki. Me kryetaren diskutuam rreth çështjeve që e shqetësojnë më shumë komunitetin e Delvinës, bashkisë së saj. Është e rëndësishme që çdonjëri nga ne që ka një detyrë publike duhet të dëgjojë qytetarin, të kujdeset për shqetësimet që ata kanë dhe të ndikojë në mirëqenien e jetës së qytetarit, tha ai.
Sakaq shtoi se muzeu i Historisë dhe Etnografisë i realizuar në këtë qytet mbart promovim të vlerave të historisë në qytet.
“Është një muze i realizuar me kontributin e të gjithë qytetarëve të Delvinës. Do të doja të falënderoja çdonjërin prej tyre për kontributin dhe vullnetarizmin në këtë promovim të vlerave të historisë së qytetit të Delvinës”, shtoi Begaj.