Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka bërë të ditur se është miratuar raporti për Kosovën.
Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.
Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.
Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.
Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.
“Raporti për Kosovën sapo është miratuar me shumicë dërrmuese, duke konfirmuar kështu mbështetjen tonë të qartë për përpjekjet dhe arritjet evropiane të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Sakaq, në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
@Europarl_EN Report on #Kosovo has been just adopted with an overwhelming majority, thus confirming our unequivocal support for Kosovo’s European endeavours and achievements.





