Sot në datën 11 Maj u gjend trupi pa jetë i shtetasit holandez Jules Schurmmans nga Skuadra e Federatës Shqiptare të rafting dhe Albania Rafting Group në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA dhe Policinë e Shtetit. I shprehim ngushëllimet tona familjes Schurmmans !
Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Z. Zamo Spathara, ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen dhe ka bërë thirrje për të gjithë ata që praktikojnë sporte aventurë dhe aktivitete në natyrë, si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, që të përdorin shërbimet e guidave profesionistë të licencuar dhe të trajnuar nga Federata Shqiptare e Rafting. Kjo do t’u sigurojë ata me informacionin dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në mënyrë të sigurtë.
Federata kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe të agjencive turistike, mediave dhe operatorëve turistikë, për të ndihmuar në informimin e turistëve të huaj rreth rrezikshmërisë së hyrjes në kanion pa pasur informacionin dhe pajisjet e duhura. Po ashtu, kërkohet që të gjitha destinacionet turistike natyrore dhe të sporteve aventurës të jenë të pajisura me tabela informuese për nivelin e vështirësisë dhe pajisjet e nevojshme përkatëse.
Federata gjithashtu bën thirrje për shoqërimin e turistëve nga guida të trajnuar nga federata dhe institucionet e specializuara me përvojë. Duke qenë se raftingu, kanyoningu dhe river hikingu janë aktivitete komplekse dhe të rrezikshme, është e rëndësishme që guidat të kenë trajnimin dhe përvojën e nevojshme.
Në përfundim, kërkohet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjithëve për të bërë raftingun dhe aktivitetet turistike aventurore sa më të sigurta. Është e rëndësishme që të gjithë ata që praktikojnë këto sporte të respektojnë udhëzimet dhe të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe të tjerëve.
Ju lutemi të jeni të kujdesshëm dhe të keni parasysh rekomandimet e Federatës Shqiptare të Rafting dhe autoriteteve relevante kur kryeni aktivitete të tilla aventurore.