Në vendimin e gjykatës që disponon Klan News për 3 ushtarakët e arrestuar për shpërdorim detyre pas asgjësimit të 125 bimëve me kanabis në repartin e Zall Herrit, thuhet se lënda narkotike dhe cënimi perimetit të sigurisë ishin konstatuar një muaj para se të ndërhynte policia dhe të gjente drogën. Gramoz Mullai shef i zbulimit ka deklaruar para hetuesve se kishte njoftuar edhe eprorët për këtë fakt.
“Kontrollin e fundit në Repart e kemi ushtruar me datë 10 dhe 11 Korrik 2023 së bashku me kapterin Shefqet Pashaj dhe Tetar Besmir Rama. Kontrolli është bëre duke patrulluar territorin në këmbe dhe me datë 10 Korrik 2023, kemi konstatuar disa parcela me lëndë narkotike në vendin e quatur “sipër liqeneve”. Po ashtu gjatë kontrollit që kam ushtruar me vartësit e mi kapiteni Rustem Koçi dhe rreshter Gentian Zhurda, kemi konstatuar cënim të rrethimit në shumë pjesë të tij. Këtë gjë ja kam raportuar me gojë kolonelit Petrit Dajlani, por nuk kam mbajtur procesverbal për shkeljen e perimetrit.”
Në dokumenta janë të zbardhuar edhe deklarimet e dy zyrtarëve të tjerë të arrestuar. Rustem Koçi ka pretenduar se kontrolli i fundit është bërë në datën 25 Korrik së bashku me rreshterin Gentian Zhurda dhe Kryekapter Arben Muça dhe se nuk kishin konstatuar asgjë të dyshimtë. Ndërsa Gentian Zhurda ka theksuar se për shkak të zonës së pyllëzuar zona ishte e pamundur për tu kontrolluar e gjitha. Ata po hetohen nën masën e sigurimit “arrest në burg”. Ndërkohë që avokatët kanë ankimuar këtë vendim dhe kërkojnë lirinë nga Gjykata e Apelit me juridiksion të përgjithshëm.