Xhaka sqaron akuzat që kishte bërë në Prishtinë

0

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, bëri bujë me kritikat e tij për seancat stërvitore të përfaqësueses helvetike. Xhaka u shfaq shumë kritik pas ndeshjes mes Kosovës dhe Zvicrës, muajin e shkuar, e cila përfundoi 2:2.

Pasuan reagime të shumta në Zvicër dhe një diskutim i Xhakës me selektorin Murat Yakin. Në fushë, kapiteni më pas luajti në ndeshjen pasuese, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asistim kundër Andorrës.

Marrëdhënia me trajnerin është sërish e mirë dhe 31-vjeçari pritet të përfshihet edhe më shumë te Zvicra.

“Me përvojën që e kam mund të ndihmoj edhe trajnerin”, ka theksuar Xhaka në një intervistë për televizionin zviceran “SRF” të martën.

“Por nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me gjithë ekipin”, ka shtuar mesfushori.

Edhe nëse koha ka qenë e gabuar, Xhaka insiston se do të përsëriste deklaratat e tij nëse do të ishte e nevojshme.

“Nuk ishte kritikë për trajnerin, ishte kritikë ndaj ekipit, ndaj federatës”, tha futbollisti i skuadrës së Bayer Leverkusenit.

“Infrastruktura e federatës aktualisht është e pamjaftueshme. Ambicia është e qartë dhe ne lojtarët thjesht kërkojmë fusha më të mira. Nëse nuk i ke kushtet më të mira, nuk mund të stërvitesh në mënyrë optimale”, ka sqaruar Xhaka.

Shpresa e kapitenit të Zvicrës është që të krijohet një bazë në vitet e ardhshme në të cilën do të grumbullohet ekipi për ndeshjet ndërkombëtare që do t’i ketë.

Grumbullimet e ekipit zviceran deri më tani janë mbajtur gjithmonë në vende të ndryshme në Zvicër, pasi përfaqësuesja nuk ka “shtëpi” të vërtetë.

Përpara ndeshjes kundër Bjellorusisë, lojtarët e Zvicrës do të takohen në Zuerich të mërkurën para se stërvitjet të mbahen në kampin “GC” në Niederhasli. Më pas do të vijë përgatitja përfundimtare për ndeshjen në St. Gallen.

Dueli mes Zvicrës dhe Bjellorusisë zhvillohet të dielën prej orës 18:00 në St. Gallen.

Xhaka sheh hapësirë për përmirësim brenda ekipit zviceran. Shton se kritikat duhet të bëhen më shpesh dhe njerëzit duhet ta shtyjnë njëri-tjetrin.

“Ndodh shumë më shpesh në klube dhe njerëzit thonë diçka në fushë. Nëse nuk mund ta përballoni, jeni në vendin e gabuar. Në fund të fundit të gjithë janë mjaft të rritur për të folur me njëri-tjetrin”, tha Xhaka.

Në thelb janë gjëra të vogla që duhen përmirësuar. Pikërisht ngaqë nuk ka më “të vegjël” në futbollin ndërkombëtar dhe përfaqësuesja duhet gjithmonë të bëjë një hap më tej.

Xhaka është i bindur: “Me cilësitë tona mund të mposhtim shumë përfaqësuese”.

Tri pikët ndaj Bjellorusisë do të ishin një tjetër hap i rëndësishëm drejt kualifikimit të Zvicrës në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Fitorja për Xhakën dhe bashkëlojtarët e tij është e domosdoshme, siç ka qenë shpesh në këtë fushatë kualifikuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu