Aksidenti i efektivit të Policisë së Durrësit duke kaluar në vijat e bardha bëri që ministri i Brendshëm, Taulant Balla të njoftojë ashpërsim të masave në Kodin Rrugor.
Mamir Hodo, ekspert i sigurisë thotë se ligji ka nevojë për rishikim, sidomos kur bëhet fjalë për shkelje që rrezikojnë jetën e këmbësorëve në vendkalimet e dedikuara për ta.
“Ndryshimi i Kodit Rrugor duhet të përfshijë në këtë rast vetëm kalimin e sigurt të këmbësorëve në vijat e kalimit këmbësor dhe duhet të ketë një penalitet shumë të ashpër që mund të kalojë direkt në heqjen e lejes së drejtim nga 2-3 vjet në mënyrë të menjëhershme”, tha Mamir Hodo, ekspert.
Duke e cilësuar 2023, si një vit ku humbjet e jetës si pasojë e aksidenteve u rritën me mbi 13%, eksperti sugjeron se çdo ndryshim në kod, duhet konsultuar me specialistët e fushës për të qenë sa më efektiv.
“Në ndryshimet që mendoj se duhet të bëhen, duhet të lihen specialistët. Duhet të marrin masa, dhe masa siç i takon sigurisë rrugore dhe jo për efekt të numrit”, tha ai.
Shoferi që shkaktoi aksidentin në Durrës tashmë i arrestuar nga policia rezultoi se drejtonte automjetin e tij tej normave të lejuara dhe në gjendje të dehur.
Tv Klan