E trishtë/ Deti nxjerr në breg trupat e nëntë emigrantëve të mbytur në Turqinë jugore

0

Trupat e nëntë personave janë nxjerrë në më pak se një javë në brigjet e Turqisë jugore , shumica e të cilëve mund të jenë emigrantë, thanë autoritetet turke.

“U përcaktua se këpucët dhe rrobat e gjetura në pesë trupa ishin prodhuar në Siri”, tha dje, të dielën, qeveria provinciale e Antalias, pasi u gjetën gjashtë trupat e parë.
Dy të tjerë u zbuluan mëngjesin e sotëm në të njëjtën krahinë dhe 200 km më në perëndim, në provincën fqinje të Muglas, sipas shtypit turk.
Sipas guvernatorit të Antalias, pesë nga gjashtë trupat e parë që u hodhën në breg mund të kenë qenë emigrantë që ishin nisur në fillim të dhjetorit për të kaluar nga Libani verior ose Siria jugore në Qipro, porta për në Bashkimin Evropian.

Ambasada libaneze në Ankara kishte njoftuar më 11 dhjetor se një varkë, e cila ishte nisur nga kjo zonë me 90 persona në bord, ishte zhdukur nga ekranet e radarëve.
Autoritetet turke besojnë se një nga trupat që u lanë në Antalia mund të ketë qenë një grua e re nga Turqia, e cila ishte zhdukur që në fillim të janarit në këtë qytet bregdetar. Sipas shtypit sot po kryhen testet e ADN-së.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), më shumë se 3,000 migrantë u zhdukën në të gjithë Mesdheun në vitin 2023, numri më i lartë që nga viti 2017.