Këshilli i Bashkisë së Himarës ka zgjedhur me 12 vota pro dhe 9 kundër drejtuesin e komanduar të Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano.
Pas këtij vendimi, kandidati tjetër Pervin Gjikuria ka dhënë dorëheqjen. Këshilli i Bashkisë së Himarës zhvilloi mbledhjen, pas dorëheqjes së Blerina Balës, nga posti i kryetares së komanduar.
I gjithë procesi është shoqëruar me tensione dhe debate mes anëtarëve, ku ka pasur vazhdimisht kundërshtime. Procesi, i cili filloi me vonesë, nisi me leximin e letrës që Bala ka dorëzuar. Më pas u bë votimi për zgjedhjen e personit që do të zëvëndësonte Blerina Balën.
Kujtojmë se bashkia Himarë është kthyer në “mollë sherri” prej kohësh, pas zgjedhjeve lokale, ku Fredi Beleri u arrestua pak para zgjedhjeve, e më pas i fitoi ato. Më pas, në krye u vendos Blerina Bala. Ajo u zgjodh me 29 mars kryetare në detyrë e Bashkisë së Himarës, e propozuar dhe mbështetur nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), si dhe e mbështetur edhe nga parti të tjera opozitare. Por më 5 qershor, ajo dha dorëheqjen nga posti, duke e lënë sërish bosh karrigen.