Dosja “Partizani”/ Shtyhet gjyqi për Berishën, do të mbahet më 23 prill

0

Prej gjashtë muajsh, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohen seanca periodike lidhur me dosjen “Partizani”, ku i pandehur kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Në seancat e fundit, avokatët mbrojtës kanë kërkuar pavlefshmërinë e akteve të dosjes dhe pushimin e çështjes penale, duke argumentuar se nuk ekzistojnë elementë të veprës penale. Sipas tyre, aktet e ekspertimit janë të pavlefshme pasi janë kryer nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe jo nga ekspertë të specializuar, siç parashikon ligji.

Gjithashtu, mbrojtja ka kundërshtuar provat lidhur me ndryshimin e destinacionit të kompleksit sportiv “Partizani”, duke theksuar se ky vendim është marrë nga Edi Ramës dhe jo nga Berisha. Në këtë kontekst, avokatët kanë ngritur pikëpyetje pse Rama nuk është pyetur në lidhje me këtë çështje.

Gjykata ka shtyrë edhe sot vendimin, i cili do të bëhet publik më 23 prill, në orën 13:00.

Tre janë opsionet që gjykata po shqyrton: pranimi i kërkesës së Prokurorisë për ta çuar çështjen në gjykim, kthimi i dosjes për hetime të mëtejshme, ose pranimi i kërkesës së mbrojtjes për pushimin përfundimtar të çështjes.