Vrasja e Egli Progës, Gjykata e Korçës lë në burg Andi Shkullakun për moskallëzim krimi

0

KORÇË- Gjykata e Korçës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” Andi Shkulakun. Ky i fundit u arrestuar 3 ditë më parë me urdhër të prokurorisë së Korçës, pasi akuzohet për moskallëzim krimi lidhur me vrasjen e Egli Progës.

Arrestimi i tij u bë pasi një dëshmi e re u administrua nga prokuroria e Korçës, ku thuhet se Proga fillimisht u dhunua brenda ambienteve të lokalit nga Leonidha Guçe e më pas u godit jashtë ambienteve nga Denis Meçe. Një detaj i ri ky që rëndon pozitën e Guçes.

Shkulaku mendohet të ketë parë gjithçka dhe këtë qenë prezent në vendngjarje e më pas të jetë larguar. Pavarësisht se prokuroria e Korçës vetëm para pak ditësh mbylli hetimet duke çuar për gjykim dosjen, kjo dëshmi e re duket se ndryshon rrjedhën e hetimeve për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga.

Sipas dosjes së hetimit, Denis Meçe akuzohet për vrasje me dashje ndërsa Leonidha Guce, Voltan Shkulaku dhe Arjan Manellari akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës ndërsa pritet që dosja e re e hapur për shkak të dëshmisë së fundit të bashkohet me dosjen e parë.

Vrasja e Egli Progës ka ndodhur më 10 gusht të 2024. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, Egli Proga ka shkuar tek lokali ku ka ndodhur ngjarja, për të pirë. Jashtë lokalit ka qenë autori me dy të tjerë edhe këta të pirë, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë.

Egli fillimisht është ulur me personin brenda duke pirë me të dhe në këtë moment ka nisur debati me tre personat që kanë qenë duke pire jashtë kur Meçe u afrua duke kërkuar një cigare. Autori është ngritur nga tavolina e tij dhe ka vajtur tek viktima për ta sqaruar se çfarë kishte dhe debati u acarua. Pas kësaj autori i ka kërkuar të dalë jashtë e të sqarohen dhe kur kanë dalë jashtë autori e ka shtyrë ose goditur viktimën i cili është rrëzuar.