Sherr për modelin? Shqiptari i ngul g*ërshërën berberit indian në Itali

0

Një debat për motive të lehta në një berberhane në lagjen Centocelle të Romës ka degjeneruar në një ngjarje të rëndë kriminale. Një 29-vjeçar shqiptar ka goditur me gërshërë në qafë një berber indian 24-vjeç, duke e lënë të plagosur rëndë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Filippo Parlatore”, ku shqiptari, i cili ka precedent penal, hyri në konflikt me punonjësin. Gjatë debatit verbal, ai rrëmbeu një palë gërshërë dhe e sulmoi viktimën, i cili, ndonëse në gjendje të rënduar, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin “Umberto I”.

Pas sulmit, autori u largua në këmbë, por karabinierët arritën ta identifikojnë përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmive të pranishmëve. Ai u kap mëngjesin e ditës së nesërme në një park në zonën Tor Sapienza.

Hetimet zbuluan se 29-vjeçari ishte në kërkim për shkak të shkeljes së masës së arrestit shtëpiak, e caktuar më parë për vepra si trafik droge, falsifikim dokumentesh dhe rezistencë ndaj policisë. Ai ndodhet tashmë në burgun Rebibbia dhe pritet të dalë para gjykatës në ditët në vijim, nën akuzën për tentativë vrasjeje.