Plagosi fqinjët për qenin, gjendet e fshehur në mur arma e krimit

0

Policia ka zbuluar armën e zjarrit me të cilën u plagosën burrë e grua në fshatin Gosë të Rrogozhinës më 6 qershor, pas një konflikti për motive të dobëta mes fqinjëve. Arma e dyshuar, një pistoletë, u gjet e fshehur në një mur, dhe u sekuestrua si provë materiale.

Autori i dyshuar, Shpëtim Osma, 56 vjeç, u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, nën akuzën e plagosjes së dy fqinjëve të tij, S.D. dhe N.D., me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një debati që nisi për bagëtitë dhe agravoi për shkak të qenit të familjes Disha, të cilin Osma pretendonte se e shqetësonte.

Pas të shtënave, Osma u largua nga vendngjarja, por më pas u vetëdorëzua në polici. Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, duke ngritur shqetësime për përshkallëzimin e dhunës për konflikte të vogla mes fqinjëve.