Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me denoncimet e tij, duke paraqitur prova që zbulojnë sipas tij, manipulime zgjedhore gjatë procesit të 11 Majit.
Në një dalje për gazetarët në selinë blu, Berisha ka publikuar video ku tregohen shkelje në qendrat e votimit, duke e cilësuar sërish ditën e votimit, një farsë të turpshme dhe kriminale.
Më pas Berisha paralajmëroi protesta, ku theksoi se është radha e shqiptarëve të ndershëm që t’i dalin për zot votës së lirë, teksa nuk munguan akuzat drejtuar kryeministrit Rama.
“Pra, siç e shihni, kreu i organizatës kriminale Edi Rama, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, nuk u mjaftua me të gjitha aktet antikushtetuese që ndërmori para ditës së votimit, por edhe ditën e votimit ai organizoi një farsë të turpshme, fiktive, kriminale.
Të gjitha këto dëshmojnë se është radha e shqiptarëve t’i dalin zot me çdo kusht dhe çdo mjet lirisë së tyre dhe votës së lirë. Edi Rama përdori çdo gjë për dhunimin e kësaj vote.
Ai përdori prokurorinë e tij politike për burgosjen, persekutimin e liderëve të tre partive kryesore opozitare, vetëm e vetëm se e di se është i pashpresë dhe ligji do bjerë pa mëshirë mbi të, familjarët e tij dhe bandën e tij. E di këtë ai! Këtu ne do vazhdojmë në respekt të shqiptarëve idealistë, të shqiptarëve patriotë, të shqiptarëve të ndershëm që besojnë se e ardhmja duhet të përcaktohet nga qytetarët e lirë me vullnetin e tyre dhe se pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, të ardhme në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha Berisha.