Në seancën e sotme plenare, kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi mazhorancën për bashkëpunim me krimin dhe mafien. Më tej Berisha iu drejtua dhe socialistit Petro Koçi, të cilit i tha se nuk do jetë më në parlament, pasi ia morën vendin krimi dhe mafia.
Deputeti Koçi replikoi me Berishën, duke i thënë se është i fundit që duhet të flasë për zgjedhje të lira në këtë vend, pasi më parë ka rrahur komisionerët dhe krerët e PS-së, sakaq burgosi dhe kreun e kësaj partie Fatos Nanon për politikë.
“Sali ti je i fundit në Republikën e Shqipërisë që mund të flasësh për zgjedhjet e lira. Je kampioni i vjedhjes dhe grushtit shtetit në 96. A e mban mend ç’i ke bërë kreut të PS në Librazhd, e masakruat. Një rrahje barbare me bandat tuaja elektorale. E mban mend ç’i ke bërë komisionerëve të Fierit.
I keni rrahur me bandën që bridhte. Në prezencë të deputetëve që vinin nga Italia të qendrës së votimit Shkolla Industriale. Banda qëlloi komisionerin e PS, Viktor Mihaj, trim mbi trimat. E qëlluat në sy të tyre. Ndërhyri pastaj ambasadori italian. Ti që burgose Fatos Nanon për politikë. Mos fol më për zgjedhje. Je në të njëjtën frekuencë me Maduron. Duke akuzuar shqiptarët si mafie ndërkombëtare.Turp të kesh!”– tha Koçi.