Nga Erdogani te Netanjahu dhe Hafiz Sabri Koçi: Ermir Gjinishi flet pa filtra për liderët që formësuan Lindjen dhe shpirtin shqiptar

0

Ermir Gjinishi për Erdoganin: Nga shtypja fetare te superfuqia turke – por jo pa kritikë për islamin politik

Tiranë, Qershor 2025 — Në një analizë të drejtpërdrejtë dhe të balancuar në Bahiti’s Podcast, historiani Ermir Gjinishi ndau opinionin e tij për Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. Ai theksoi se, megjithëse është kritik i islamit politik, nuk e mohon rolin që Erdogan ka luajtur në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Turqisë.

“Erdogan nuk është simbol i islamit politik, por e ka përdorur aspektin religjioz për të ndërtuar një bazë të shtypur që kishte nevojë për hapësirë,” tha Gjinishi, duke shtuar se “në retrospektivë, Turqia kishte nevojë për frymëmarrje fetare.”

Megjithatë, ai shprehu shqetësimin për përzierjen e fesë në politikë dhe theksoi se në një botë laike, këto dy fusha duhet të qëndrojnë të ndara.

“Demokracia ka qenë e respektuar. Erdogan ka ditur të fitojë, por edhe të humbasë qytete si Stambolli. Nuk ka ndërhyrë në drejtësi. Përballoi një grusht shteti me mbështetjen e popullit,” tha ai, duke e konsideruar këtë një shembull të rëndësishëm për shoqëritë në tranzicion.

Gjinishi për Netanjahun: Manipulator i madh, por problemi i Izraelit është vetë Izraeli

Në të njëjtin episod të Bahiti’s Podcast, Gjinishi komentoi edhe mbi figurën e kryeministrit izraelit Benjamin “Bibi” Netanjahu, të cilin e përshkroi si një nga figurat më kontradiktore në politikën ndërkombëtare.

“Është një personazh shumë interesant, por edhe shumë i papëlqyer. Mbi 70% e izraelitëve nuk e duan,” u shpreh Gjinishi.

Ai e cilësoi Netanjahun si një nga manipulatorët më të mëdhenj në politikën moderne, duke shtuar se problematika e Izraelit nuk qëndron te grupet si Hamasi apo Irani, por te vetë mënyra se si vendi po qeveriset dhe po e trajton konfliktin.

Një kujtim personal: Gjinishi për Hafiz Sabri Koçin – “Fetar i zgjuar, njeri i paqes dhe mençurisë”

Në një moment emocional të podcastit, Ermir Gjinishi ndau përvojën e tij personale me Hafiz Sabri Koçin, duke e cilësuar atë si një nga njerëzit më të rrallë që ka njohur gjatë jetës së tij.

“Kam pasur fatin të jem afër tij si nënkryetari i parë i KMSH. Ishte njeri i jashtëzakonshëm, fisnik dhe i mençur, me një intuitë gjenetike të lindur,” tha Gjinishi.

Ai vlerësoi aftësinë e Hafiz Koçit për të ruajtur paqen shpirtërore edhe pas më shumë se 20 vjetësh në burg.

“Kurrë nuk fliste me urrejtje. Ishte një fetar i zgjuar, i qetë, i butë, që i dha shumë kësaj shoqërie. Ndjehem i plotësuar shpirtërisht që e kam njohur,” përfundoi ai.

Podcast-in e plotë e ndiqni në linkun: