GJERMANI- Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Herdecke të Gjermanisë, ku kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë, Iris Stalzer, është sulmuar me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. 57-vjeçarja u godit disa herë në bark dhe shpinë, mëngjesin e së martës, pranë banesës së saj.
Sipas informacioneve paraprake nga “Bild”, Stalzer, anëtare e Partisë Socialdemokrate (SPD), u gjet e plagosur rëndë në apartamentin e saj në lagjen Herdecke, në landin North Rhine-Westphalia. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e saj të adoptuar; një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare.
Sipas autoriteteve, 15-vjeçari thirri ndihmën dhe deklaroi se nëna e tij ishte sulmuar nga disa persona të panjohur në rrugë. Megjithatë, hetuesit nuk gjetën dëshmi që mbështesin versionin e tij, ndërsa djali u mor nga policia me pranga dhe u vesh me një uniformë të posaçme për të ruajtur gjurmët e mundshme të gishtërinjve. Policia sqaroi se kjo procedurë u ndoq për të mos dëmtuar provat e mundshme, ndërkohë që hetimet janë në zhvillim.
Burime nga policia bëjnë me dije se për momentin nuk ka prova që të çojnë drejt një motivi politik për sulmin. Megjithatë, po hetohet pista e dhunës në familje. Sipas “Spiegel”, në verën e kaluar, vajza 17-vjeçare e Stalzer dyshohet se e kishte sulmuar me thikë nënën e saj në të njëjtën banesë. Të dy adoleshentët janë aktualisht nën hetim, ndërsa nuk është bërë ende asnjë arrestim zyrtar.
Kush është Iris Stalzer
Iris Stalzer është avokate e specializuar në të drejtën familjare dhe ka një karrierë të gjatë në politikën lokale në Herdecke. Ajo ka qenë anëtare e këshillit bashkiak dhe komitetit të të rinjve për shumë vite. Më 28 shtator 2025, Stalzer u zgjodh kryetare e bashkisë me 52.2% të votave, me mbështetjen e Partisë së Gjelbër, duke mposhtur kandidatin konservator të CDU-së, Fabian Konrad Haas. Ajo pritej të merrte detyrën në fillim të nëntorit, pas 16 vitesh qeverisje nga kampi konservator në qytet.
Aktualisht, ajo ndodhet në spital në gjendje kritike, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje për t’i shpëtuar jetën. Autoritetet gjermane kanë intensifikuar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij sulmi të rëndë





