Këshilli Bashkiak kërkesë SPAK: Sillni Erion Veliaj të premten në mbledhje në bashki

0

Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të mundësuar pjesëmarrjen fizike të kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e radhës, që do të zhvillohet më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Sipas dokumentit të siguruar nga Euronews Albania, këshilli argumenton se pjesëmarrja e kryebashkiakut përbën një të drejtë funksionale të garantuar nga Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ndaj kërkohet që autoritetet të marrin masat e nevojshme për të lejuar praninë e tij gjatë punimeve të seancës.

Në shkresë theksohet se, pavarësisht masës së sigurisë ndaj Veliajt, roli i tij institucional e bën të domosdoshme pjesëmarrjen në mbledhje, ku pritet të diskutohen çështje që lidhen drejtpërdrejt me funksionin e tij si kryetar bashkie.

Dokumenti:

Neni 58, pika 4 i jep Kryetarit të Bashkisë të drejtën të marrë pjesë dhe të raportojë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Neni 60 përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm midis Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështjet e interesit publik.

Duke iu referuar këtyre detyrimeve ligjore, Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon:

lejimin e përkohshëm të pranisë fizike së Erion Veliajt në mbledhje, ose, nëse kjo nuk është e mundur, mundësimin e pjesëmarrjes përmes një forme të komunikimit në distancë, si online apo videokonferencë.

Në shkresë nënvizohet se pjesëmarrja e kryebashkiakut është e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit lokal.

Kësilli Bashkiak deklaron gatishmëri të plotë për bashkëpunim lidhur me çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike nga institucionet përkatëse, me qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe transparent.

Institucionet janë ftuar të japin me shkrim vendimmarrjen e tyre, duke marrë parasysh funksionet institucionale dhe të drejtën e kryetarit të Bashkisë për t’u paraqitur para Këshillit Bashkiak.

Nëse Erion Veliaj do të ishte pjesë e mbledhjes, padyshim që kjo do të ishte një ndër seancat më të shikuara nga qytetarët. Me interes është përballja e të gjithë “besnikëve”, të cilët propozuan për shkarkimin e tij nga detyra me argumentin ligjor se nuk është paraqitur në detyrë prej 3 muajsh dhe atë moral se Tirana ka nevojë urgjente për një drejtues.

Vendimi për shkarkimin e Veliajt u urdhërua nga kryeministria Rama dhe u firmos po prej tij. Ishte Begaj që dekretoi më pas zgjedhjet në Tiranë, datë që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe që më pas la në detyrë Veliajn.