SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka komentuar yllin e Hollivudit, George Clooney, pasi mori shtetësinë franceze dhe shfrytëzoi rastin për të kritikuar edhe Francën. Trump, administrata e të cilit ka mbështetur partitë anti-imigracion në Evropë, tha se aleati kryesor Franca kishte një problem “të tmerrshëm” me krimin dhe imigracionin.
Një dekret zyrtar i parë nga AFP të hënën tregoi se fituesi 64-vjeçar i çmimit Oscar, Clooney, gruaja e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre ishin bërë shtetas francezë.
“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit më të këqij politikë të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht qytetarë të Francës, e cila, për fat të keq, është në mes të një problemi të madh kriminal për shkak të trajtimit absolutisht të tmerrshëm të imigracionit”, tha Trump në rrjetin e tij social Truth.
Ylli i Oceans Eleven, Clooney është një mbështetës dhe mbledhës fondesh i demokratëve prej kohësh, si dhe një kritik i zëshëm i Trump. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Trump kujtoi faktin se aktori mbështeti Biden gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2024, por më pas e “la” atë duke u shqetësuar për moshën e demokratit gjatë një eventi për mbledhje fondesh që ai organizoi.
“Clooney mori më shumë publicitet për politikën sesa për filmat e tij shumë të paktë dhe krejtësisht mediokre. Ai nuk ishte aspak një yll filmi, ai ishte thjesht një djalë mesatar që ankohej, vazhdimisht, për logjikën e shëndoshë në politikë”, tha Trump.





