Katër azile private “shtrijnë” të moshuarin, përfundon në karrocë

0

Trëndelina Bufi rrëfen kalvarin, për të siguruar përkujdesje për vëllain, Agron Bufi i cili pas një aksidenti të rëndë, mbeti i varur nga ndihma e të tjerëve.

I braktisur nga fëmijët, Agroni u dërgua fillimisht në një azil në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre vite.

Pagesat kryheshin nga të afërmit, por mungesa e vizitave familjare ndikoi rëndë në gjendjen e tij psikologjike. E shqetësuar, Trëndelina e transferoi vëllanë në qendrën “Vila e Rrokut”, ku sipas saj, ai u rrëzua dy herë dhe përfundoi në karrocë. Pas disa ngjarjeve shqetësuese dhe mungesës së reagimit nga punonjësit, ajo vendosi ta largojë Agronin nga kjo qendër.

“Agroni ka bërë një aksident të rëndë. Është ndarë nga gruaja këtu e 40 vite para, që kur u martua, ka dy fëmijë. Nuk u martua për hir të atyre fëmijëve. I rriti fëmijët, i çoi në Greqi, i bëri me shtëpi e të gjitha. Kur erdhi puna që bëri aksidentin, fëmijët nuk iu përgjigjen më. Doli nga gjendja e komës, nga Spitali Ushtarak, e mori vëllai im e mbajti për dy muaj dhe pastaj e çuam në një azil në Tiranë.

Qëndroi gati tre vite atje. E mora nga Tirana e çova në Durrës, për arsye edhe të largesës, edhe sepse motrat e mia nuk e shikonin më. Nipërit i dërgonin lekët dhe nuk e takonin fare.

Pastaj e vendosëm te shtëpia e të moshuarve në Durrës. Dy muajt e parë shumë mirë, pastaj filloi ato nuk e çonin në tualet, atje u rrëzua vëllai, herën e parë nuk foli. Për herë të dytë u rrëzua shumë keq saqë ma lanë në karrocë me rrota. U thashë të sillja mjek nuk më lanë, më thanë që kemi mjekët tanë dhe se vëllai do të ngrihej, por nuk u ngrit më në këmbë. I kam parë vetë me sytë e mi se çfarë bëhej atje brenda. Pashë skena të papara dhe thashë sa të ma vrasin fare më mirë po e marr në shtëpi”, tregon Trëndelina Bufi.

“Stop” u drejtua me kamerë të fshehtë në këtë azil në Durrës, por punonjësit shmangën dhënien e informacionit mbi rrëzimet, dokumentacionin mjekësor dhe kamerat e sigurisë. Ky azil rezulton të ketë aktivitet kryesor shërbimet funerale, duke ngritur pikëpyetje për natyrën reale të veprimtarisë.

Qytetarja – Thjesht na duhet fletë-dalja!

Punonjësja Nuk e keni marrë ju fletë-daljen?

Qytetarja – I kemi shkruajtur, nuk na kanë kthyer fare. Na duhet fletë-dalja!

Qytetarja – Dhe ça mjekimesh janë bërë në momentin, që është rrëzuar! Nëse është dërguar në spital, apo ka ardhur mjekja këtu!

Punonjësja E kuptoj shumë mirë, po ne këto ia japim, kur del personi.

Qytetarja – Nuk i kemi marrë, s’na kanë dhënë asnjë gjë.

Punonjësja S’janë dhënë asnjë gjë?

Qytetarja – Fare! Tani kamera, a ka këtu, a s’ka?

Punonjësja –Kamera, si s’ka!

Qytetarja – Ka! Ok! Që të shikojmë, të dimë, ku është rrëzuar.

Qytetarja – Është rrëzuar brenda? Jashtë? Çfarë ka ndodhur? Që ta dimë.

Punonjësja Të gjitha të dhënat!

Punonjësja Patjetër! Këto llafe, që je tu i thënë ti, unë do t’ia them gocës së vëllait, se ajo i mban të gjithë këto, që po m’i kërkon. Domethënë, i ke thënë Romirës ti këto?

Qytetarja – Patjetër, i kemi shkruajta mesazh dhe ma ka lënë seen. (Shikuar)

Punonjësja –Ta ka lënë seen?

Punonjësja Ok! Në rregull! Unë do ta sinjalizoj.

Më pas, Agroni u zhvendos në Tiranë, por as aty situata nuk u përmirësua. Një azil i dytë mori pagesën për muajin janar, duke pretenduar se dy javët e fundit të dhjetorit ishin falas, ndërkohë që gjendja e Agronit u përkeqësua.

Në dhjetor 2025, Trëndelina u detyrua ta marrë vëllanë në shtëpinë e saj. Një tjetër azil, në zonën e Saukut, kërkoi pagesë për ditët e dhjetorit, megjithëse punonjësit nuk dinin as emrin tregtar të qendrës.

“Gjetëm një azil në Tiranë dhe isha shumë e kënaqur. Ajo ishte psikologe vetë dhe me të vërtet kishte qenë në spital, një grua e nderuar. Më shumë përshtypje më bën punonjëset atje. 5-7 punëtore, nuk kisha parë në asnjë vend. E lashë sepse nuk ia dilja dot me pjesën e pagesës. Me doli një azil tjetër me 500 mijë lekë të vjetra. Kur shkova, kushtet nuk ishin fare. Kur e pashë vëllain, më tha e kemi gjetur lakuriq përdhe, ishte vrarë e sakatuar, atje u bë edhe memec. Kërkova takim me pronaren nuk më erdhi edhe lekët e janarit nuk mi ktheu”, shtoi denoncuesja.

Drejtoresha Agetina Hidershaj pranoi se marrëveshja ishte për janarin 2026, por këmbënguli për pagesën e 17 ditëve.

“Do marrësh 208 mijë lekshin e 13 ditëve, që nuk ka qenë, 17 ditë nuk ke shans mos të paguhen. Po unë ia kam thënë dhjetorin, në qoftë se ti do funksionoje në janar. Pronari është avokati dhe avokati i njeh shumë mirë ligjet”, tha Agetina Hidershaj.

Avokati Artur Meça, që rezulton pronar i institucionit, premtoi kthimin e një pjese të shumës, por transferta nuk u krye.

“Mua letrat këto, që më kanë ardhur, i kam bërë gati dhe pjesa, që i takon më dërgoni numrin e llogarisë dhe t’ua nis me bankë! Kaq!”, u shpreh avokati.

Gjatë xhirimeve u konstatuan edhe kushte të dobëta higjiene.

Rikthimi në një qendër në zonën e Qytetit Studenti, ku ndodhet doktoresha Maja, u shoqërua me refuzim komunikimi dhe mbyllje dere nga stafi. As drejtuesit dhe as administratorët nuk dhanë një qëndrim zyrtar.

Gazetarja: Agroni ka ikur vetë, apo e keni nxjerrë ju?

Punonjësja: E mori kjo. (Trëndelina).

Gazetarja: A ka ikur për shkak, se nuk ka bërë pagesën?

Punonjësja: Jo, kjo gjeti diku, ku është më lirë.

Gazetarja: Ka ardhur, për të sjell Agronin prapë.

Kolegia: Hajde, hajde të flasin me doktoreshën!

“Stop” ka vënë në dijeni institucionet shtetërore për të siguruar akomodimin e Agron Bufit në një azil shtetëror./ TV Klan