Agrinio, Greqi – 17 janar 2026 – Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Greqinë, ku një shtetas shqiptar 44 vjeç ka vrarë me armë gjahu një 51-vjeçar në fshatin Spathohori, në zonën e Agrinios.
Sipas burimeve policore, viktima, babai i një fëmije të mitur dhe kryeplak i fshatit, është qëlluar për vdekje me çifte. Autoritetet greke sqarojnë se ngjarja nuk lidhet me detyrën e tij publike, por dyshohet se ka pasur një prapaskenë sentimentale.
Hetimet paraprake tregojnë se autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës, çka dyshohet të ketë qenë shkaku i konfliktit fatal. Sipas policisë, 44-vjeçari i kishte ngritur pritë viktimës dhe, sapo ky u afrua me automjetin e tij, e qëlloi me armë gjahu, të cilën e posedonte me leje, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas të shtënave, automjeti i viktimës ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë, ku u gjet më vonë nga banorët e zonës.
Disa orë pas krimit, autori ka kontaktuar vetë autoritetet policore, duke pranuar autorësinë dhe duke shprehur dëshirën për t’u dorëzuar. Ai ka deklaruar se ishte i penduar për veprimin e kryer. Arma e krimit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Hetimet nga autoritetet greke vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të çështjes.





