Ujësjellësi pa afat, Elbasani në kantier të hapur ndërtimi

0
Screenshot

Edhe pse afati për përfundimin e punimeve të ujësjellësit në qytetin e Elbasanit përfundoi në dhjetor të vitit të kaluar, ende nuk ka një datë zyrtare se kur këto punime do të mbyllen. Zvarritja e projektit ka lënë pas një infrastrukturë tërësisht të amortizuar, me rrugë të dëmtuara dhe segmente të pasigurta për qarkullimin.Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi të theksuar te qytetarët, por dhe pasoja negative te bizneset e zonës.
Burime pranë Bashkisë Elbasan bëjnë me dije se kompania “Strabag”, e cila po zbaton projektin, ka kërkuar zyrtarisht zgjatje të afatit të punimeve. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, deklaroi se gjatë fazës së testimit janë konstatuar probleme teknike, të cilat kanë ndikuar në vonesat e procesit.

Ndërkohë, këshilltarja e opozitës, Bianka Çopja, thekson se përgjegjësia për tejzgjatjen e punimeve bie mbi ujësjellësin dhe Bashkinë Elbasan, pasi pasojat po i vuajnë drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset.

Pas këtij investimi, i cili e ka shndërruar Elbasanin në një kantier të hapur ndërtimi për një kohë të gjatë, qytetarët presin përmbushjen e premtimit për furnizim me ujë 24 orë në ditë ,një premtim që përsëritet prej më shumë se dy dekadash.