Protesta në Durrës për TID, qytetarët përplasen me këshilltarët e bashkisë

0

DURRËS – Situata në Durrës është tensionuar sot gjatë protestës së banorëve kundër projektit të TID, që parashikon shpronësimin e 74 familjeve për të hapur rrugë ndërtimit të unazës.

Banorët, të cilët kundërshtojnë vendimin e Këshillit Bashkiak për shpronësimin e pronave, u mblodhën para ndërtesës së Bashkisë dhe u përplasën me zyrtarë dhe anëtarë të këshillit. Protestuesit u shprehën me tone të ashpra dhe kërkuan shpjegime për vendimin e marrë nga institucioni.

Gjatë përplasjes, disa qytetarë tentuan të hyjnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila ishte parashikuar të mbahej në orën 12:00. Në hyrje, situata u tensionua edhe më tej, teksa banorët u përballën me bllokadën e policisë bashkiake.

Në një moment, protestuesit ndaluan edhe kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) pranë Bashkisë së Durrësit, duke i kërkuar shpjegime për mënyrën se si po zhvillohet procesi i shpronësimeve.

Banorët thonë se projekti i TID do të prekë banesat e tyre dhe kërkojnë që të rishikohet zgjidhja e shpronësimeve, duke kërkuar zgjidhje alternative ose kompensim të drejtë.