Facebook me probleme teknike, versioni në web nuk po funksionon për shumë përdorues

0

Shumë përdorues nuk kanë mundur të aksesojnë Facebook që nga mbrëmja e djeshme (3 mars), dhe vështirësitë duket se po vazhdojnë edhe sot, më 4 mars.

Sipas raportimeve, problemi kryesor lidhet me versionin e Facebook që përdoret nga kompjuteri (desktop). Shumë persona që përpiqen të hapin faqen në web po përballen me mesazhin “this page isn’t working”, që do të thotë se faqja nuk po funksionon.

Ndërkohë, aplikacioni i Facebook në telefon duket se është rikthyer në funksionim normal, të paktën për disa përdorues. Por ata që përpiqen ta hapin platformën përmes shfletuesit në kompjuter ende nuk mund ta përdorin.

Sipas faqes së monitorimit të problemeve online Downdetector, raportimet për probleme me Facebook filluan rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme. Problemet vazhduan deri afër mesnatës, me mijëra përdorues që raportuan vështirësi.

Problemet kryesore që u raportuan përfshijnë:

  • pamundësinë për të hapur faqen e Facebook në web
  • vështirësi në hyrjen në llogari (login)
  • probleme me feed-in dhe timeline-in e përdoruesve

Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga kompania për shkakun e problemit, ndërsa përdoruesit presin rikthimin e plotë të funksionimit të platformës në versionin web.