Ditët e fundit në Tiranë u ngrit alarmi për dy gra të mbuluara, për të cilat u pretendua se u afroheshin fëmijëve dhe u flisnin në gjuhë të huaj. Në lidhje me këtë rast u bë një reagim nga Policia e Shtetit e cila lajmëroi se ato i përkasin opozitës iraniane MEK, të strehuar në Manëz. Teksa kanë theksuar se nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Një shqetësim i ngjashëm është ngritur edhe në qytetin e Shkodrës. Ku sipas burimeve konfidenciale policore të cituara nga Euronews, bëhet e ditur se pasditen e djeshme dhe gjatë natës, blutë e Shkodrës kanë ndaluar tre shtetas të huaj, dy meshkuj dhe një grua me origjinë nga Lindja e Mesme.
Ky ndalim është bërë pas një kërkese nga zyra e Antiterrorit të Drejtorisë së Policisë Tiranë, teksa të ndaluarit janë dërguar në kryeqytet në cilësinë e personave të shoqëruar, ku po merren në pyetje për aktivitetin e tyre në vendin tonë.
Po ashtu është kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe zyra antiterroriste e Shërbimit Informativ Shtetëror, që DVP-të e qarqeve të shoqërojnë disa persona në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të merren në pyetje për aktivitetin e tyre në vendin tonë.





