GREQI- Autoritetet greke kanë arrestuar katër persona, mes tyre edhe dy shqiptarë si të dyshuar për vrasjen e mafizoit grek, Jorgos Moskouris. Ekzekutimi i tij ndodhi në 24 prill të vitit 2025 në zonën e Halandrit, në Athinë. Viktima po dilte nga një qendër mjekësore në zonë kur dy persona iu afruan dhe e qëlluan me një kallashnikov, ndërsa policia greke gjeti 54 plumba në vendin e ngjarjes.
Autoritetet dyshojnë se katër personat e arrestuar kanë ndihmuar autorët e atentatit që i mori jetën 55-vjeçarit. Mediat greke shkruajnë së në lidhje me këtë ngjarje, janë arrestuar dy shtetas me origjinë shqiptare, të identifikuar si Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si dhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Bazuar në hetimet e kryera nga autoritetet greke, katër të arrestuarit, përfshirë dy shqiptarët kishin marrë përsipër organizimin logjistik të atentatit. Ata kishin siguruar armë, automjete, transport dhe mbështetje për ekzekutorët e huaj, të cilët dyshohet se mbërritën në Greqi vetëm për realizimin e vrasjes dhe u larguan menjëherë pas krimit. Ata akuzohen për përfshirje në krimin e organizuar, sigurimin e rrethanve të vrasjes, shkelje të të dhënave personale dhe akuza të tjera penale që lidhjen me këtë ngjarje.
Autoritetet greke ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve kryesorë të krimit, pasi ata dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Mënyra e atentatit ngriti dyshime për përfshirjen e mafias rusishtfolëse. Kjo pasi brutaliteti i sulmit dhe përdorimi i armëve automatike konsiderohen tipare të ekzekutimeve që lidhen me grupet kriminale të Europës Lindore. Pas vrasjes, autorët i vunë flakën makinës dhe u larguan./





