Meta: Shëndeti im kurrë s’ka qenë më i mirë. Këtë periudhë po e përjetoj si shkrimtar. Pengmarrja ime, gjeopolitike! E ardhmja për mua s’ka filluar akoma

0

Intervistë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për emisionin “Më lër ta mbaroj” në X-Media – Pjesa e parë.

Z.Meta, si është gjendja juaj shëndetësore aktualisht? Është komentuar se jeni dukur i dobësuar në paraqitjen e fundit publike… a keni ndonjë shqetësim konkret shëndetësor? A po merrni kujdesin e nevojshëm mjekësor gjate qëndrimit në burg?

Shëndeti im kurrë nuk ka qenë më i mirë se këtë periudhë.

Kjo shpjegohet me jetën e disiplinuar që i kam imponuar vetes dhe natyrisht edhe me kujdesin ndaj vetes, sidomos në aspektin e regjimit, ushqimit të përzgjedhur dhe stërvitjes fizike të vazhdueshme.

Tensioni im si në mëngjes, si në drekë, si para stërvitjes dhe pas saj, mbetet gati fiks 7 – 11.

Si e përballoni stresin dhe presionin psikologjik ne këto kushte izolimi?

Këtu stresi është në nivelin zero, sepse ua theksova që në fillim parametrat e tensionit 7 – 11.

Po kështu edhe presioni psikologjik, pasi në jetën time kam përballuar situata shumë herë më të rënda dhe dramatike.

Këtë periudhë e përjetoj si shkrimtar që ka marrë leje krijuese ose si një sportist që grumbullohet përpara një gare të madhe.

Si kalon nje dite tipike per ju ne burg? Me çfare aktivitetesh e mbani veten te angazhuar? A lexoni apo shkruani gjate kesaj periudhe? Nese po, çfare?

Dita kalon pa e kuptuar, shokët më të mirë janë librat pasi kontaktet njerëzore i kam shumë të kufizuara.

Leximi dhe të shkruarit më merr pjesën më kryesore të kohës.

Natyrisht që ndjek lajmet nga TV se çfarë ndodh këtu dhe në botë.

Përveç ajrosjes edhe në qeli bëj disa herë në ditë stërvitje dhe ushtrime fizike.

Natyrisht që edhe gatuaj vetë dhe pastroj.

Pastrimi është shumë i mirë edhe për stretching.

Nuk dua t’ju heq kuriozitetin për të lexuar librin tim të parë, ku do të kuptoni se cilët faktorë e kishin të domosdoshëm pengmarrjen time politike, e cila në fakt është gjeopolitike, pasi synonte dhe synon asgjësimin e faktorit më koherent për integrimin e vërtetë europian dhe euroatlantik të Shqipërisë.

Por jo vetëm kaq, por edhe si bllokues edhe për shkak të detyrës si President të projektit për copëtimin e Kosovës që shitej nga Rama e Soros si projekt “amerikan” dhe “europian”, duke përdorur mbështetjen e Sorosit, fondacioni i të cilit kishte bërë edhe studimin e fizibilitetit për “shkëmbimin e kufijve” që nuk ishte i tillë, pasi kurrë tre komunat në Veri të Kosovës nuk do të këmbeheshin me tre komunat e Kosovës Lindore në Serbi (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë).

Por “shkëmbimi” ishte mbulesa për të justifikuar gjymtimin e Kosovës dhe rrëmbimin e burimeve natyrore më vitale të saj.

Asnjëherë në administratën amerikane nuk ishte diskutuar një ndryshim i tillë i politikës ndaj Kosovës.

Por falë lobimit të fortë të Serbisë dhe Sorosit, disa diplomatë amerikanë në Departamentin e Shtetit u vunë në funksion të kësaj ideje destabilizuese për rajonin tonë, por edhe antiamerikane në thelb, pasi shteti i Kosovës ishte dhe mbetet një investim së pari i SHBA-ve.

Këta diplomatë shfrytëzuan zëvendësimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, të gjeneralit McMaster me ambasadorin Bolton dhe i shkëputën këtij një deklaratë shumë evazive për ta trumbetuar si mbështetje të Presidentit Tramp për shkëmbimin e kufijve.

Po kështu shfrytëzuan Znj. Mogherini atë kohë si shefe e politikës së jashtme të BE për të pranuar temën e “ndryshimit të kufijve”, e cila minon vetë themelet e krijimit të Bashkimit Europian.

Por reagimet në Kosovë, Shqipëri (përveç Ramës) Berlin, Londër e vetë Uashingtoni kur e kuptuan se çfarë pasojash mund të vinin, e paralizuan atë projekt që ende sillet si fantazmë sot për t’u rishfaqur si alternativë nesër nëse rrethanat do të jenë të favorshme.

Sepse është e qartë se në Serbi ndodhi një vrasje gjeopolitike në Mars 2003 siç qe ajo e Kryeministrit të atëhershëm Zoran Gjingjiç, i vetmi që kishte vizionin dhe vullnetin për ta nxjerrë Serbinë nga rrethi vicioz as Lindje, as Perëndim dhe që donte seriozisht ta integronte në Bashkimin Europian.

Që atëherë Serbia vetëm ka bërë manovra për t’i marrë fondet BE-së, por për t’iu shmangur anëtarësimit real, sepse nuk ka vullnet për të pranuar realitetin e ri që është shteti i Kosovës.

Ndaj Serbia shpiku edhe “Ballkanin e Hapur” si një alternativë ndaj Procesit të Berlinit dhe vetë anëtarësimit në BE, i cili kërkon plotësimin e disa kritereve politike e në fushën e shtetit të së drejtës dhe ligjit që cmontojnë autokratët duke garantuar demokraci funksionale dhe llogaridhënie.

Kjo është edhe arsyeja pse Rama u bë një ndjekës i “Ballkanit të Hapur”, e madje shtirej edhe si bashkautor, kur de facto ishte vetëm një shërbëtor i idesë së projektuar në Beograd.

Mos harroni se qëndrimi kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës i kushtoi karrierën politike edhe Ministrit të Jashtëm socialist, Z. Bushati, përgjithmonë.

Ishin ata diplomatë amerikanë dhe europianë që mbështesnin “Ballkanin e Hapur”, ku në çdo samit ishte Aleks Soros që mbështetën kapjen antikushtetuese të “drejtësië së re” nga Edi Rama si domosdoshmëri që ky të zhdukte nga skena politike të gjithë kundërshtarët e tij politikë që mbronin interesat kombëtare.

Ndaj edhe SPAK-u merrte direktivat nga Asambleja e PS nga Edi Rama për të arrestuar Berishën dhe Metën.

Pra unë jam rrëmbyer si dikur Aldo Moro në Itali dhe mbahem peng vetëm për arsye gjeopolitike.

Sepse nëse kjo do të ishte për ti shërbyer luftës kundër korrupsionit, Shqipëria do të ishte përmirësuar me 11 vende në renditjen e Transparency Internacional gjatë vitit të fundit dhe nuk do të ishte përkeqësuar me 11 vende siç e ritheksoi edhe dje rezoluta e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Si mund të akuzohet për korrupsion një politikan kur nuk ekziston asnjë fakt penal dhe asnjë akt, shkresë, vendim në cënim të ligjit apo interesit publik.

Po kështu kur nuk i është sekuestruar asnjë qindarkë?

Ndërsa për Edi Ramën do mjaftonte vetëm shkresa e tij për të shpallur fituese kompaninë e inceneratoarëve, që nuk ishte krijuar ende, që gjykata ta shpallte fajtor.

E në këtë rast nuk ka nevojë fare as për hetim dhe as për dëshmitarë.

A keni pasur momente reflektimi per karrieren ose vendimet tuaja? A ka dicka qe do ta kishit bere ndryshe ne te kaluaren?

Natyrisht që kjo periudhë shërben edhe për reflektim dhe sidomos për të sistemuar kujtimet e të kaluarës sipas temave të ndryshme.

Por reflektimi është në funksion të projektimeve për të ardhmen, e cila për mua nuk ka filluar akoma.

Unë këtë periudhë nuk e përjetoj si periudhë mundimi, por si periudhë trainimi për sfidat që më presin.

Për të kaluarën nuk kam arsye të ndryshoj dicka, por për të ardhmen patjetër.

Cilet jane miqte qe ju qendrojne afer ne keto kohe?

Miqtë janë të pafund dhe ata pavarësisht se ku ndodhen, bëjnë më të mirën dhe unë u jam shumë mirënjohës për kujdesin e tyre pa zhurmë.

A keni folur ne telefon me zotin Berisha?

Jo, pasi këtu nuk mund të flasësh as me Tedi Blushin që e kishte numrin të regjistruar dhe që prej një viti ia çregjistruan në mënyrë të paligjshme siç ka konstatuar edhe Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Por me Z. Berisha kemi qenë dhe mbetemi në komunikim.

Po kështu me Znj. Albana Vokshi që dua ta falenderoj për angazhimin e saj ndërkombëtar për çështjen time.

Apo me Z. Klevis Balliu që insistoi heroikisht derisa hyri brenda burgut.

Si po e perjeton familja juaj kete periudhe? A keni mundesi te komunikoni ose takoheni rregullisht me femijet tuaj?

Me fëmijët dhe motrën takohem 4 herë në muaj normalisht.

Me prindërit u bënë 20 muaj që nuk i kam takuar, pasi nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Por ata janë të fortë, pasi edhe prindërit e tyre kanë qenë shumë të fortë dhe kanë kaluar situate shumë më të vështira.

Si eshte sot marredhenia juaj me zonjen Kryemadhi? A keni pasur komunikim gjate kesaj kohe?

Që nga Maji 2024 nuk kam asnjë komunikim

Cfare ju jep me shume force ne kete moment te veshtire?

Patriotizmi është burimi i fuqisë time të pashtershme.

Po kështu vlerat e larta morale, jo vetëm të dy prindërve të mi, por në veçanti të dy gjyshërve të mi, të cilët kanë qenë burra të rrallë e shumë të respektuar.

Besimi në të ardhmen është një burim tjetër i fuqisë time.

Pa sakrifica, nuk ka begati.

Cfare do te beni diten qe do dilni nga burgu? A e shihni veten serish aktiv ne politike?

Karriera ime politike ende s’ka filluar.

Gjithcka deri tani është vetëm një trainim për të Ardhmen.

A keni ndonje mesazh per mbeshtetesit tuaj ne kete moment?

Kohët më të mira janë përpara nesh.

Por ato vijnë duke lëvizur dhe jo duke pritur, duke luftuar dhe jo mënjanuar, duke besuar dhe jo justifikuar, duke marrë përgjegjësi dhe jo shpikur “alibi”.

Çfare mesazhi do t’i jepnit qytetareve shqiptare sot?

Luftoni për fëmijët tuaj që të mos vriten në oborret e shkollave, që të mos drogohen pa e filluar jetën, që të mos ëndërrojnë largimin nga vendi, që të mos mbeten pa Atdhe.
Zgjidhja është e thjeshtë, bashkohuni për të larguar një të marrë nga pushteti që të jetoni të lirë në vendin tonë të mrekullueshëm që duhet të ketë Diell për të gjithë shqiptarët.