Dritan Abazoviçi nuk është problemi, por zgjidhja

0

Nga Anisa Bahiti

Prej 48 orësh orësh propagandat qeveritare Tiranë-Prishtinë-Shkup nëpër media sociale po bombardojnë një të ri shqiptar 35 vjeç nga Ulqini, Dritan Abazovic, i cili është një ndër fituesit e zgjedhjeve në Mal të Zi, si një ndër liderët e opozitës.

35 vjeç, i lindur në një familje ulqinake si shqiptar i ish Jugosllavisë, i rritur si fëmijë dhe nxënës i Jugosllavisë së mbetur të vitete luftës, adoleshent në kohën e bombardimeve mbi Serbi gjatë luftës së Kosovës së Jugosllavisë së mbetur të Milloshevicit, student në Sarajevë në epokën e unionit Serbi-Mal i Zi dhe Master në Podgoricë në shtetin e pavarur të Malit të Zi.
Në 35 vite ka ndërruar 4 pashaporta dhe shtetësi dhe ka jetuar në 3 qeverisje, në Jugosllavinë e Stambolicit, e Milloshevicit dhe qeverisjen e Gjukanovicit. Ka studiuar politikë dhe diplomaci në kryeqendrën e luftërave në Sarajevë dhe ka jetuar në një epokë dhe në një vend që nuk e ka zgjedhur të jetojë, në një kohë superfatkeqe për popujt e asaj që ishte Jugosllavia.

Dritani ka kërkuar ndryshim në vendin ku ka lindur dhe ku jeton. E ka bërë atë si përfaqësues i OJF, e ka bërë si deputet opozite, e ka bërë si drejtues i një lëvizje që quhet URA me kuptim të trefishtë, anglisht, shqip dhe serbokroatisht. Ai përfaqëson një brez që kërkon ndryshim në emër të prosperitetit, reformave, luftës kundër korrupsionit, mirëqeverisjes, luftës kundër krimit. Ai ka arritur ti çudisë të gjithë me rezultatin që ka marrë.

Në foto: Dritan Abazoviç

Ndërkohë e kanë sulmuar regjimet. Ata që i thanë shqiptarve në Mal të Zi e Maqedoni votoni një parti sllave. E sulmojnë duke i thënë se po bën aleancë me Vucicin, ata që me Vucicin kanë plane shumë më të mëdha me ndryshime kufinjsh. E sulmojnë se ka thënë se nëna e Skënderbeut ishte sllave, ata që ia kanë përkrahur këtë tezë Maks Velos, Fatos Lubonjës, Mustafa Nanos etj. I thonë se bën lojën e Rusisë, ata që publikisht bënin presion që BDI në Maqedoninë e Veriut të tërhiqej nga kërkesa për kryeministër shqiptar, sepse Zoranin e kishin shok.

E kanë me Dritanin jo se i plasi barku të ndihmojnë Gjukanovicin, pasi me vetedije e sabotuan atë. Jo se duan partitë shqiptare në Podgoricë se i kërkuan shqiptarve të votojnë kundër tyre, por e kanë se janë kundër ndryshimit që sjell rinia.
Një djalë i ri modest, inteligjent, proeuropian, kozmopolit, që i sulmon oligarkët e pushtetit, mediat e pushtetit i tremb se i kujton sesa shpejt modeli i Dritanit mund t’i rrezojë pushtetet e tyre.

Nëse në të vërtetë në Mal të Zi babai i pavarësisë së këtij vendi ka probleme me Kishën Serbe dhe Rusinë, në Tiranë dhe Prishtinë hallin e kanë me modelin që sjell Dritani, si zgjidhje për regjimet që mbahen në këmbë nga korrupsioni dhe varfëria.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu