Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një statusi në rrjetet sociale njofton se në qarkun e Gjirokastrës janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit, që përfshkruan gjatë ditës së djeshme zonën e Lunxhërisë, ku u shënua dhe viktima e parë si pasojë e flakëve.
Peleshi kërkon ndihmë nga komuniteti për të identifikuar personat që kanë vënë qëllimisht zjarrin.
“Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica te Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm”, shkruan Peleshi në njoftimin në rrjetet sociale.
Në Shqipëri gjatë ditës së djeshme një person humbi jetën si pasojë e zjarreve në Gjirokastër.
Andrea Haxhiaj humbi jetën gjatë momentit që flakët i ishin afruar banesës së tij në fshatrat e Gjirokastër, ndërsa dëmtime serioze mori dhe bashkëshortja e tij, e cila u soll për trajtim në Tiranë, pasi kishte djegie të mëdha në pjesë të trupit.