Ish-Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u nda nga jeta 16 vite më parë, por la pas kontributin e vyer për pavarësinë e vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, shkruan për meritën historike që ka pasur Rugova në pavarësinë dhe ngritjen e shtetit demokratik të Kosovës.
“Sot kujtojmë ‘Gandin e Ballkanit’, shqiptarin e madh, Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Udhëheqësia e tij e mençur ka meritën historike në pavarësimin dhe ngritjen e shtetit demokratik të Kosovës, me orientimin e palëkundur të integrimeve në BE dhe NATO, në mirënjohje dhe koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Balla.
Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Ai u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.