Ministrja e Jashtme e Holandës Hanke Bruins Slot, ka vizituar sot Kievin dhe i ka bërë të ditur se qeveria e Holandës ka vendosur ti dhuojë për mbështetje 2.5 miliardë euro Ukrainës.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon akoma dhe kjo ka bërë që të rriten shqetësimet se përpjekjet e Kievit për ta zmbrapsur pushtimin rus, që nisi në shkurt 2022, të cilët mund të dështojnë pa mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit.
Bruins Slot i siguroi autoritetet ukrainase se vendi i saj i mbështet vazhdueshëm.
“Mesazhi im për ministrin Kuleba ishte i njëjti si për të gjithë juve këtu. Mbështetja jonë ndaj jush është e garantuar”, tha ajo pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Gjithashtu ajo theksoi se vendi i saj hapi një qendër stërvitore për avionët luftarakë F-16 në Rumani më 13 nëntor dhe se po punon me Shtetet e Bashkuara, Danimarkën dhe vende të tjera për t’u kujdesur që Ukraina do të mundë t’i përdorë sa më shpejt avionët luftarakë.
“Siguria juaj është siguria jonë”, shtoi ajo. Temë e bisedës mes saj dhe Kulebas ishte edhe synimi i Ukrainës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. “E ardhmja juaj është me ne”, u shpreh ajo.
Kuleba tha se, derisa vëmendja e mediave është përqendruar në konfliktin në Lindjen e Mesme, “vëmendja politike” nuk ka është hequr nga Ukraina.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’iu drejtohet sonte përmes një videoje senatorëve amerikanë, për shkak të frikës se përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar Rusinë mund të dështojnë nëse ajo nuk e ka mbështetjen e vazhdueshme nga Perëndimi.
Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë kërkesën e Shtëpisë së Bardhë prej gati 106 miliardë dollarësh për t’i financuar luftërat në Ukrainë, Izrael dhe nevojat e tjera të sigurisë.