20-vjeçarja humbi jetën në maternitet ndërsa solli në jetë djalin, familjarët akuza mjekëve

0

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, ku një 20-vjeçare humbi jetën pak orë pasi kishte sjellë në jetë djalin e saj në maternitet, ndërkohë që familja hedh akuza të forta në drejtim të mjekëve dhe infermierëve që e kanë pasur në ndjekje.

E reja që ka ndërruar jetë është identifikuar si Kristjana Muxhai, ndërkohë që vjehrra dhe kunati i saj shprehen se ajo nuk ka pasur asnjë sëmundje të mëparshme, që mund të çonin në humbjen e jetës së saj.

Ata shprehen se kanë dyshime që vajzës nuk i është bërë gjilpëra për trompozë, ndërsa shtojnë se do të çojnë në gjyq të gjithë mjekët dhe infermierët që kanë ndjekur rastin e saj.

“Doktor Dashi më pyeti si i ka dhimbjet, dhe ia shpjegova, doktori më tha që do e fusnin në operim, mirë i thashë si të jetë më e mira për nusen dhe për bebin. Doli dhe më tha që operimi kishte shkuar mirë. I mora qumësht bebit, të gjithë gjërat që duheshin, e takova nusen ishte mirë, na nxorën përjashta më pas, se nuk të lënë që të rrish atje nga puna e Covidit.

Folëm me doktorin para se të ikte në shtëpi, në katër e gjysëm më marrin në telefon, dhe më thonë që nusja u përkeqësua. Vimë me urgjencë, më thonë që e futën sërish në sallën e operacionit, ndërkohë që nuk na pyetën fare ne si familjarë.

Gratë që ishin në dhomë kanë thënë që ajo kishte vështirësi në frymëmarrje, kur erdhëm ne kishte mbaruar çdo gjë, bebin nuk e lënë as ta shohim, na thonë që është mirë por nuk e dimë, se se kemi parë. Nuk lanë as nënën e vajzës që vdiq që ta shohi, i dhashë edhe 10-çen në xhep infermieres që të ma kishte nusen me kujdes, se ishte lehone e porsalindur dhe me operacion.

Do presim që eskpertizën ta bëjnë nga Tirana se nuk kemi besim, vajza i ka bërë të gjitha analizat e gjakut prej nëntë muajsh, është neglizhencë e mjekut që nuk i kanë bërë gjilpërën për trompozë. Në fillim na thanë që kishte të gjitha parametrat në rregull, dhe pastaj na thanë që ishte hemoragji. Kanë tre versione të ndryshme, nuk i besojmë askujt, në gjyq do të shkojmë, kemi çuar babain që të bëjë gati letrat.

Kjo është shëndetësia që reklamojnë Ogerta dhe Edi Rama në 3D, lanë një djalë jetim, i morën jetën një vajze 20-vjeçare”, shprehet viktima dhe kunati i 20-vjeçares që humbi jetën.

Ndërkohë që në një reagim të parë, spitali i Gjirokastrës deklaron se vajzës i janë bërë të gjitha shërbimet, dhe se po kryhen hetime në lidhje me ngjarjen.

”Spitali Rajonal i Gjirokastrës i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e të ndjerës, 20 vjeçares me inicialet K.M., e cila është trajtuar në këtë spital mbrëmjen e djeshme.

Menjëherë sapo është paraqitur në spital 20 vjeçarja është asistuar nga mjekët dhe ka sjellë në jetë foshnjen e saj shëndoshë e mirë.

Pas ndërhyrjes operatore, e reja ka patur komplikalcione të rënda dhe megjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor nuk ka arritur të mbijetojë. Pritet të kryehet ekspertiza mjekoligjore për ngjarjen.

Spitali i Gjirokastrës siguron qytetarët që stafi i kualifikuar i spitalit tonë është në shërbim 24/7 për pacientët”, thuhet në reagimin e spitalit të Gjirokastrës.

Ndërkohë që në ambientet e jashtme të maternitetit nuk kanë munguar as përplasjet mes familjarëve dhe stafit mjekësor, që nuk lejojnë që askush të futet brenda, justifikuar dhe nga pandemia e Covid 19.

Për gazetaren e Fax news, Ervina Shehaj, familjarët e 20-vjeçares thonë se vdekjen e saj mund ta justifikojnë dhe me ndonjë infektim nga Covid 19, gjë të cilën ata e mohojnë kategorikisht, duke thënë se e gjitha ngjarja është shkaktuar nga neglizhenca e bluzave të bardha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu