TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme lidhur me çështjen e “21 janarit”.
Pas daljes nga SPAK, Burgaj tha për gazetarët se kishte dhënë sqarime si person në dijeni për ngjarjet e ndodhura në ngjarjet e 21 janarit. Ai u shpreh se ka zbatuar vetëm ligjin dhe se nuk ka pasur asnjë urdhër për policinë për reagim. Sipas tij punonjësit e policisë kanë duruar dhunën e protestuesve dhe nuk kanë përdorur armë ose dhunë ndaj tyre.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Plani i masave është 50 faqe, nuk mund t’i komentoj. Policia ka bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin dhe ka zbatuar ligjin. Kam zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asnjë urdhër për të reaguar. Policia ka duruar dhunë ekstrem dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhune ndaj protestuesve. Urdherarrestet jane ekzekutuar.”, ka thënë ai.
SPAK ka regjistruar procedim penal çështjen në fjalë, ku u vranë 4 protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Më 16 korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka rregjistruar një procedim penal mbi ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011. Fillimisht, Prokuroria e Posaçme kishte refuzuar të ndërmerrte hetime pas kallëzimit të bërë pranë saj nga familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 demonstruesve të vrarë. Kjo Prokurori kishte vlerësuar se hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, nuk kanë zbuluar elementë penalë ndaj subjekteve që hyjnë në juridiksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Por sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, vetëm pas hetimeve paraprake dhe pasi të arrihej në konkluzionin nëse kishte apo jo elementë të veprës penale referuar kallëzimit, mund të vendosej mbi çështjen.