3 maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Mediave

0

TIRANË-Sot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. 3 maji është dita kur bota feston parimet themelore të lirisë së shtypit, për të vlerësuar lirinë e shtypit në mbarë botën e për të mbrojtur mediat nga sulmet.

Pikërisht në këtë ditë, Organizata Gazetarët pa Kufij, ka radhitur Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej në vendin e 83-të. Organizata Gazetarët pa Kufij vlerëson se demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online, ndërkohë që bëjnë luftëra propagandistike kundër demokracive.

SI LINDI KJO DITË?

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 1993 si një zgjatim i Seminarit mbi Promovimin e një shtypi të pavarur dhe pluralist afrikan. Ky seminar u zhvillua në Namibi në vitin 1991 dhe solli miratimin e Deklaratës ‘Windhoek’ mbi Promovimin dhe Pluralizmin e Medias. Deklarata ‘Windhoek’ është krijuar për ruajtur dhe nxitur një shtyp të pavarur, pluralist dhe të lirë. Deklarata thekson rëndësinë e një shtypi të lirë për zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë në një vend, si dhe për zhvillimin ekonomik.

Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut 1948 thekson se “të gjithë kanë të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion dhe ide me çfarëdo mjeti pavarësisht nga kufinjtë.” Çdo vit që nga viti 1997, UNESCO nderon me Çmimin Botëror të Lirisë së Medias, Guillermo Cano, punën e një individi apo të një organizate për të mbrojtur apo promovuar lirinë e shprehjes, veçanërisht në qoftë se ajo e vë jetën e individit në rrezik. Çmimi është emëruar pas vrasjes së një gazetari në vitin 1986, pas denoncimit të baronëve të drogës. Vitin e kaluar ky çmim iu dha pas vdekjes një gazetari investigativ rus i cili gjeti vdekjen pas sulmit të një bande kriminale ndaj tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu