Gjykata e Beratit ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg shtetasin Sokol Kapinova, i akuzuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur e mbetur në tentativë”.
Prokurori Dritan Gripshi kërkoi që 48-vjeçari të dënohej me 9 vite burg. Sipas prokurorit, akuza në ngarkim të 48-vjeçarit Kapinova provohet nga aktet e ekspertimit si dhe nga provat shkencore dhe ato me dëshmitarë. Mësohet se gjatë të gjitha seancave gjyqësore ku i pandehuri ka qenë i pranishëm, ka mohuar akuzën dhe nuk ka shprehur pendesë.
Trupi i gjykues i përbërë nga gjyqtarët Durim Hasa, Matilda Llangozi dhe kryesuesja Entela Gjoni, pasi kanë dëgjuar pretendimet e palëve, e kanë shpallur Kapinovën fajtor dhe e kanë dënuar përfundimisht me 6 vite e 9 muaj burgim, të cilat do t’i kryejë në burgjet e sigurisë së zakonshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në 18 qershor 2020 në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit.