Prej ditës së djeshme një repart i spitalit të Durrësit do të shërbejë për pacientët e prekur me Covid, ndërkohë që për mediat është e ndaluar rreptësisht hyrja në ambientet e brendshme.
Një qytetare e cila gjendet në oborrin e spitali tregon se nuk ka marrë asnjë rimbursim për ilaçet që ka blerë për trajtimin e Covid.
Gruaja tregon se derimë tani ka shpenzuar 526 mijë lekë të vjetra për blerjen e ilaçeve dhe nuk i është rimbursuar asnjë prej tyre. Veç saj edhe bashkëshorti ka pasur po ashtu probleme me Covid.
‘Kam harxhuar 526 mijë lekë për ilaçe, nuk kam marrë asnjë me rimbursim’, shprehet qytetarja, rasti i të cilës nxjerr edhe njëherë në pah propagandën e qeverisë me skemën e rimbursimit.
Kujtojmë se fillimisht për të përfituar rimbursim duhet të jesh pozitive me Covid, e verifikuar përmes tamponin, përgjigja e të cilit vijon të vonohet me ditë të tëra. Qytetarëve i duhet të blejnë medikamente, ende pa u konfirmuar si bartës së virusit, pasi gjendja mund të përkeqësohet ndjeshëm në rastet kur nuk trajtohet.
Në skemën e parë të rimbursimit janë përfshirë vetëm disa vitamina në vlerën e 16 mijë lekëve të vjetra, të cilat janë të pamjaftueshme qoftë edhe për një ditë të trajtimit të rasteve me komplikacione mesatare.
Në masë qytetarëve u jepen trajtime me antibiotikë nga ana e mjekëve, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk mbulohet nga qeveria, duke i shtyrë shumë prej tyre që të marrin borxhe në mënyrë që të përballojnë infektimin me Covid.