Qeveria miratoi këtë të mërkurë , në mbledhjen e Këshillit të Ministrave , një projektligj për amnistinë për të burgosurit .
Nëse ky projektligj do të miratohet në parlament , do të përfitojnë rreth 600 të dënuar , që do t’i kalojnë festat pranë familjarëve .
Gratë dhe të miturit janë dy kategoritë që do të përfitojnë më shumë nga kjo amnisti .
“ Tani projektligji është në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndjekë procedurën parlamentare , sipas rregullores , sepse kërkon një shumicë të cilësuar . Ata që do të lirohen , do të kenë një mundësi të rehabilitimit , risocializimit në familjet e tyre dhe në shoqëri ” , u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja .
Përfitues nga kjo amnisti janë:
– Personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet.
– Të dënuarit me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
– Të dënuarit meshkuj që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç dhe femra baras ose mbi moshën 50 vjeç.
– Personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Përjashtim do të bëjnë vetëm të dënuarit me burg të përjetshëm , të dënuarit për vrasje dhe ata që janë subjekte të SPAK-ut .