NORVEGJI- Një turist i “varrosur” nga një ortek në veri të Norvegjisë është nxjerrë i gjallë në një operacion shpëtim. Burri rreth të 40-ve kaloi shtatë orë i bllokuar nën dëborë dhe u gjet i vetëdijshëm nën rreth 1.5 metra dëborë pak pas mesnate në komunën e Lyngen.
“Njerëzit të varrosur nën dëborë nga orteku zakonisht mbyten brenda 10 minutave,” tha Dr Audun Hetland, një studiues i ortekëve nga Universiteti Arktik i Norvegjisë. Ai theksoi se disa mbijetojnë më gjatë por shtatë orë janë pothuajse unike në histori.
Kristian Midtgard ishte personi që gjeti burrin e shpëtuar. Ai tha për TV2 se është shumë e habitshme që ai ishte ende gjallë. Ai shtoi se të gjitha statistikat dhe përvoja thonë se nuk është e mundur kur qëndron i varrosur për kaq gjatë. Kryetari i Lyngen, Erik Larsen gjithashtu e quajti shpëtimin e burrit si një mrekulli.