70-vjetori i UBT-së, Rama: Janë shumë për 1 njeri por jo për 1 Universitet

0

TIRANË- Universiteti Bujqësor i Tiranës ka mbushur 70 vjet që nga krijimi i tij në vitin 1951. Të pranishëm në ceremoninë për 70-vjetorin e Universitetit ishin Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, Ministrja e Arsimit Evis Kushi. Por as urimi i kryeministrit Edi Rama nuk mungoi, pasi edhe pse ndodhet në Skoci për samitin për ndryshimet klimatike, ai me anë të një letre të lexuar nga Ministrja Krifca ka uruar 70-vjetorin e Universitetit.

“70 vjet janë shumë për një njeri, por jo për një Universitet dhe aq më pak për Universitetin tuaj, i cili në 70 vjetorin e vet është në një farë mënyre ende në rininë e tij të hershme për mënyrën se si ka rrjedhur historia e tij. Sot githsesi kemi plot arsye të jemi më optimist se dje. Mjafton të mos harrojmë se ku e nisëm për të vazhduar me kurajo përpara së bashku, ku respekti për përpjekjet tuaja dhe ndihma jonë me gjithçka mundemi nuk do të mungojnë asnjëherë. Gëzuar, shëndet dhe sukses!,” thuhet në letrën e Ramës.

Ndërsa vetë Ministrja Krifca falenderoi profesorët dhe akademikët që kanë dhënë mësim në këtë Universitet si dhe të gjithë studentët që kanë zgjedhur këtë për shkollë për rrugën e jetës së tyre.

“Unë e di se nuk është e lehtë të zgjedhësh këtë sektor. Duhet të kesh një thirrje të brendshme e ta duash shumë. Dhe fatmiresisht ka njerëz që e duan. E konsideroj fat për gjithsecilin student të mund të kontribuojë në këtë historinë tonë të zhvillimit bujqësor duke dalë nga një Universitet me histori. Janë diplomuar gjenerata profesorësh e akademikësh të nderuar të bujqësisë, të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që ky universitet të renditet ndër më të mirët. Nje falenderim e mirënjohje e thellë për ta. Universiteti Bujqësor i Tiranës është në vëmendje dhe interes të drejtpërdrejtë të politikave qeverisësë, për kontributin e tij në fusha me interes të gjerë publik duke ofruar produktin shkencor, ekspertizë dhe kontribut profesional në procesin e negociatave për kapitujt e Bujqësisë dhe Mjedisit duke plotësuar standardet dhe detyrimet që shoqërojnë procesin e antarësimit të vendit në BE”, tha ajo.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje pedagogëve që të jenë më përfshirë në mësimdhënie si dhe i ftuoi që të marrin pjesë në debatë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Kemi nevojë që edhe ju pedagogë, ekspertë të tregoni me veprime konkrete rolin tuaj. Të keni një rol më proaktiv në hapësirën publike dhe të mbroni dijen. Ne besojmë tek ju, ekspertiza shkencore dhe argumentat shterues. Ju ftoj ta zotëroni hapësirën mediatike dhe dialogun publik me debat konstruktiv për zhvillimin e sektorit bujqësor. Ju inkurajoj ta bëni këtë në të gjitha fushat, që nga blegtoria, siguria ushqimore, pyjet, apo politikat bujqësore” përfundoi ajo.

Edhe pse jo në prezencë fizike për shkak të angazhimeve në punë jashtë vendit, urimi i Kreministrit Edi Rama erdhi përmes një mesazhi që ministrja Krifca e lexoi për audiencën.

Nga ana tjetër Ministrja Kushi në fjalën e saj u shpreh se sfida më e madhe në arsimin e lartë është që diplomat e situdentëve të kenë vlerë, ndërkohë që shtoi se në Universitet do të ketë edhe programe të huaja ku do të përfshihen studentët.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu