Fotoja që Arjon Luli publikoi me Ana Lleshin e “Përputhen” në shtrat, ka pothuajse dy javë që po bën xhiron e rrjetit.
Pak ditë më parë konkurrenti i “Përputhen” sërish nuk u shfaq në emision, por u transmetua videoja nëpërmjet së cilës ai tregonte të vërtetën sipas tij, dhe ku u kërkonte falje edhe familjarëve të Anës.
Pas kësaj, u realizua një lidhje me “Skype” me 26- vjeçaren, e cila pranoi që Arjoni kishte qarë para saj dhe se i kishte kërkuar të largoheshin nga emisioni për martesë, pra për të krijuar një familje bashkë, por mohoi t’i kishte dhënë shpresa apo t’i kishte bërë premtime, duke lënë të nënkuptohej se e kishte refuzuar.
Kjo situatë u analizua edhe nga opinionisti i formatit, Arjan Konomi, sipas të cilit, Ana Lleshi është ajo që po gënjen në këtë histori.
“Nuk është mençuri t’i shkosh dikujt që të do në shtëpi në atë orë. S’të besoj! Vetëm një femër e pacipë mund të reagojë në këtë mënyrë me mua, që më thua ke folur me Arjonin që ndryshove krah. Mendoj që thua gënjeshtra. Mendoj që gënjen! Dukesh që gënjen! Ke pasur lidhje me Arjonin”, iu drejtua Arjani me tone jo pak të ashpra.
Ana Lleshi është 26-vjeçarja më e komentuar e këtyre ditëve në programin e njohjeve “Përputhen”, pikërisht për shkak të fotos që vërtetonte që ajo kishte kaluar natën në shtratin e Arjonit, edhe pse rregullorja e formatit e ka të ndaluar këtë.
E lindur në Sarandë, por që jeton në Tiranë vajza që zotëron një biznes të vetin dhe ka pasion gatimin, kërkon partner në televizion, ndërkohë që e ka prezantuar veten si të paparashikueshme, e që i pëlqen adrenalina.
Por duket se për famë Ana është vajza nga Saranda që i bën të gjitha në televizion për më shumë vëmendje, ashtu siç pranoi të bënte kërcimin “twerk”, për të cilin po ashtu u komentua jo pak.
Si në rastin e “twerk”- ut, ashtu dhe të shtratit me Arjonin, Ana u mbyt në lot, duke u bërë objekt i komenteve se, në fakt, ajo është thjesht aktorja që po luan pa problem të gjitha rolet e skenarit që i jepen nga “Përputhen”, edhe pse kemi të bëjmë me një ”reality show”.
Ndalojmë në fillim te fotot e saj në shtrat me Arjon Lulin. Ai kishte paralajmëruar se do të nxirrte disa të vërteta në shesh nga emisioni “Përputhen”. Sipas tij, publikut disa gjëra i mbahen të fshehta dhe vendosi që të nxirrte diçka në lidhje me një vajzë e një djalë të programit.
Ai ka publikuar disa foto ku shfaqet në një shtrat me një vajzë dhe tha se është Ana Lleshi. Siç duket, ata të dy kanë kaluar një mbrëmje bashkë dhe në foto Ana shihet duke fjetur, ndërsa Arjoni fotografon.
“Pantera zgjohu se do ikim te puntata! Datën dhe arsyen pse i publikova do t’i them në një moment të dytë”, shkruante Arjoni.
Ndjekësit e emisionit nxorën edhe disa foto nga postime të mëparshme të Anës, në të cilat shihej se ajo mban në dorë të njëjtin byzylyk dhe thonjtë i kishte të lyer po njësoj si te fotot që kishte publikuar Arjoni.
Menjëherë pas këtyre postimeve, ka reaguar Shqipja, e cila kishte treguar më herët se do të bashkëpunonte me Arjonin për të nxjerrë të vërtetat e spektaklit. Ndërkohë, e përjashtuara e programit, Shqipe Hysenaj, tashmë po bën “opozitaren” nga jashtë, ndërsa ka rikujtuar sërish rastin e Teas dhe Andit, që ajo bëri publik disa ditë më parë.
Sipas saj, produksioni i “Përputhen” e ka fshehur të vërtetën, ndaj i ka bërë thirrje Anës që të lërë menjëherë programin, sepse me publikimin e këtyre fotove mbaroi gjithçka për të. Nga ana tjetër, vetë Ana sqaroi foton me Arjonin në krevat.
Ajo u shpreh se Arjoni e ka kërcënuar dy herë më këtë foto, të cilën ajo nuk e dinte që e kishte. Madje, ka bërë dy kërcënime dhe shantazhe, të cilat Ana i ka të regjistruara dhe i ka dërguar në Polici: “Mendoja se kishte foto të ndonjë të dashuri tim dhe i thashë postoje. Unë s’kam bërë seks me të, aty nuk jam as e zhveshur, as në dush, jam e veshur”.
Në një lidhje direkte në “Skype”, ajo kërkoi falje, ndërsa moderatorja tregoi se produksioni do të kujdeset ta ndjekë këtë çështje ligjërisht.
Më tej, Ana kërkoi largimin nga emisioni, gjë që nuk është pranuar nga produksioni dhe do të hapin një sondazh për këtë.
Ndërkohë, përdorues të shumtë e shpërndanë në rrjet foton ku shfaqet Arjoni i shtrirë në shtrat me të, pamje që bien ndesh me rregullat e emisionit, që ndalon qartë takimet e çifteve jashtë studios.
HISTORIA E ANËS, NGA SKANDALI I FOTOVE TE HISTORIA E TRISHTË E HUMBJES SË BABAIT NË MOSHË TË RE
Skandali i fotove, që rrezikon eliminimin e Anës, vjen pas kërcimit të komentuar gjatë “twerk”. Edhe në atë rast, Ana që kërkon të dashur në emision, shpërtheu në lot kur i përmendën personin e dashur.
Pasi mori vëmendje të madhe në emisionin “Përputhen”, që nisi prezantimin me një kërcim provokues dhe në një përplasje me një djalë, u shpreh se ai është sa “shala” e saj. Ajo prezantoi në ekran një tip moskokëçarës, por më vonë Ana tregoi një anë tjetër të saj.
Ajo u prek nga një komentues, i cili kishte shkruar për të: “Kur e shikon babi i Anës ‘twerk’ t’u kërcy, do të krenohet aq shumë me të, që nuk e ka ditur çfarë talenti ka pasur vajza e tij.’
Por Ana zbuloi se babai ka vite që është larguar nga kjo jetë, e pikërisht përmendja e emrit të tij në koment e përloti atë. Ajo nuk ngurroi të kundërpërgjigjej duke e cilësuar këtë botë si hipokrite.
“Mendoj që ai është shumë krenar atje ku është për mua, sepse rriti një fëmijë që nuk shkon pas turmës, por turma shkon pas saj”, tha mes lotësh Ana. “Të jesh vetja në një botë kaq hipokrite quhet ashtu, por nuk jam ashtu. Edhe nëse jam ashtu është zgjedhja ime, nuk ka çfarë ju duhet juve. Unë nuk jam ashtu!”.
Ndërkohë, djali i fotos në shtrat, Arjon Luli, pak kohë më parë shpërtheu publikisht ndaj Anës, pasi ajo e refuzoi tri herë në kërcim. Më pas ajo doli në takim me Arjon Lulin, i cili dukej shumë i tërhequr fizikisht ndaj 26-vjeçares.
Arjoni përpiqej të krijonte momente intime me të, duke iu afruar më shumë se ç’duhej, si dhe duke i thënë: “Ti je ëmbëlsirë. Unë të ha krejt ty!”. Por duket se situata filloi të agravohej në momentin që Ana refuzoi të kërcente në studio me të plot tri herë.
Një puntatë më parë, Arjoni pranoi në takimin me Tean se nuk kishte qejf të kërcente, por në studio tha se do ta bënte për Anën. Sipas saj, Arjoni nuk ishte i sinqertë në tërësi dhe për këtë arsye vendosi ta refuzonte.
Le të shohim se si do ta luajë pjesën më tej Ana, në mënyrë që me risqet që merr në ekran, të arrijë qëllimin e saj, të bëhet sa më shumë e famshme edhe pse në program ka hyrë për të gjetur partnerin ideal.