Juventusi në futbollin për femra është dominues në Itali duke fituar 4 vitet e fundit titullin kampion. Teksa pak kohë më parë, klubi në profilin e ekipit të femrave në Twitter uroi çiftin suedez Lina Hurtig e Lisa Lintz që u bënë nëna dhe u sulmua me mesazhe homofove, kësaj radhe një foto e publikuar ka ndezur debat të fortë.
Klubi publikoi ditë më parë foton e një futbollisteje të ekipit duke qeshur dhe që tërhiqte sytë, një gjest që u konsiderua ofendues dhe racist ndaj komunitetit aziatik. Menjëherë komentet në foto dhe në postimet e tjera vërshuan duke sulmuar ekipin Italian si racist e duke kërkuar fshirjen menjëherë të fotos.
Nuk vonoi edhe reagimi i bardhezinjve që menjëherë fshiu foton e publikuar me lojtaren e saj dhe doli me një reagim ku kërkon ndjesë.
“Kërkojmë ndjesë për të gjithë ata që janë ndjerë të ofenduar nga postimi ynë, që nuk donte të shkaktonte polemika apo të kishte ndonjë sfond racist. Juventus Woman ka luftuar gjithmonë çdo formë racizmi dhe diskriminimi”, përfundon mesazhi i klubit bardhezi.
Kujtojmë që edhe një video e publikuar disa javë më parë ku Dembele dhe Griezmann bëjnë shaka për aziatikët shkakoi një zhurmë të madhe dhe debate për sjelljen raciste ndaj komunitetit aziatik çka detyroi Barcelonën të ndërmerrte masa dhe të detyronte të dy futbollistët francezë që të kërkonin falje.